Cili do të jetë kryeministri pas 25 qershorit, ja 10 skenarët
19/06/2017 - 14:28 Nga: Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

A do të sigurojë një mandat të dytë, kryeministri i 33-të i shtetit shqiptar, Edi Rama, apo do të kemi dikë tjetër që do të shënojë emrin si kryeministrin e 34-ët? Kjo është pyetja e madhe më 25 qershor, e cila varet nga rezultati i zgjedhjeve natyrisht, nga fituesi i tyre, por jo mjaftueshmërisht nga partia që merr më shumë vende në parlament. Kalkulimet që priten të bëhen mbi bazën e rezultateve, do të krijojnë një situatë të re në spektrin politik shqiptar të cilat kalojnë të paktën përmes 10 skenarëve. Janë skenarë që do të tregojnë se emri i kryeministrit pritet të jetë zgjedhja e zgjedhjeve parlamentare.

 1.Edi Rama kryeministër në një mandat të dytë

Skenari i parë është ai që Edi Rama të mbajë edhe për 4 vjet të tjera, detyrën e kryeministrit të 33-të të shtetit shqiptar, duke u bërë kështu po aq jetëgjatë në këtë detyrë sa paraardhësi i tij, Sali Berisha. Ky skenar ka të vetmen mundësi, nëse PS merr 71 vota dhe nuk i nevojitet asnjë votë nga partitë e tjera. Jo më kot, Edi Rama e ka shpallur si objektivin e Partisë Socialiste këtë shifër, duke përdorur e artikuluar fjalë të tilla si timon, për atë që dëshiron të bëjë në katër vitet e ardhshme, por edhe shushunja për ata që nuk ia kanë lënë rehat timonin, katër vitet që shkuan. Por edhe sondazhet më optimiste për PS-në, në asnjë rast, nuk kanë rezultuar që kjo parti të marrë e vetme 71 mandate. Kështu që, varka e shpëtimit që Rama të mbajë në dorë ende timonin deri në vitin 2021, do të jenë partitë e vogla. Se cilat do të jenë ato, ky është pjesë e skenarëve të tjera.

  1. Kryeministri i PS-së, por jo Edi Rama

Vërtetë Rama mund të mos marrë në dorë timonin e qeverisë, por timoni mund të mbetet sërish në duart e PS-së. Partitë e tjera që pranojnë të bëjnë koalicion me PS-në, mund të vendosin kusht që kryeministër të mos jetë Edi Rama. Ndodhur në këtë situatë, Rama nuk mund të bëjë vrasje politike, duke ia kaluar të drejtën partisë së dytë, pra, Partisë Demokratike të ketë ajo kryeministrin. Atëherë, në skenë mund të dalin kandidatë të tillë për kryeministër, besnikë të Ramës, në mënyrë që t’i ketë nën kontroll. Së pari, mund të jenë emra të tillë si, Niko Peleshi, Ditmir Bushati, Eduart Shalsi, Damian Gjiknuri e Bledar Çuçi. Në këtë linjë mund të realizohet edhe një skenar tjetër që një grua mund të jetë e para në histori të jetë kryeministre e cila do të ulet në karrigen më të rëndësishme, në godinën më të rëndësishme në vend. Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Elona Gjebrea, Milena Harito, janë emrat e mundshëm që, natyrisht, plotësojnë të njëjtin kusht si meshkujt, – besnikërinë ndaj Ramës. Brenda këtij skenari mund të jetë edhe opsioni shumë i përfolur që PS-ja dhe PD-ja do të realizojnë koalicionin e madh. Nëse ky skenar ndodh, ai mund të sjellë të njëjtën formulë sipas të cilës këto dy parti bëjnë bashkë qeverinë, por Edi Rama të mos jetë kryeministër.

  1. Lulzim Basha, kryeministri

Lulzim Basha synon të jetë kryeministri i 34-ët i shtetit shqiptar, por sa gjasa ka? Edhe sondazhet më optimiste, Partinë Demokratike nuk e nxjerrin fituese. Fituese PD-në nuk e nxjerr as takimi 4-minutësh që Lulzim Basha pati, kokë më kokë, me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Rrjedhimisht, Lulzim Basha ka shumë pak gjasa të jetë pasardhës i kryeministrit Edi Rama. Vetëm ndonjë çudi mund ta katapultojë atë në zyrën e godinës qendrore të qeverisë. Çudia e parë është që detyrën e lartë t’ia lërë Edi Rama, në rastin kur ai vetë nuk mund ta ketë dhe me kushtin që të jetë një emër tjetër në PS.

  1. Petrit Vasili kryeministër

Më shumë se një herë, presidenti i sapozgjedhur, Ilir Meta, ka thënë se pas 25 qershorit, Rama dhe Basha do t’i luten kryeministrit, Petrit Vasili, për të bërë koalicion me të. Po sa reale është kjo tezë që Petrit Vasili të jetë kryeministri i 34-ët? Gjasat në fakt janë të pakta, por për nga kombinacionet, më shumë mundësi ka që Vasili të jetë dhe Basha jo. Kalkulimet mund ta nxjerrin Vasilin kryeministër, në një opsion që LSI të jetë vërtetë forcë e parë. E dyta, nëse LSI ka aq mandate sa të kushtëzojë jo vetëm plotësimin e 71 mandateve si mazhorancë, por edhe aq mandate sa Partia Socialiste të vihet përballë kushtit: ose Vasili kryeministër ose ajo në opozitë.

  1. Kryeministër, Ilir Meta

Ilir Meta ka hyrë në histori si kryeministri i 31-të i shtetit shqiptar, duke u cilësuar nga kryeministrat më rezultativ të majtë. Gjatë periudhës së tij, – 2 vjet, 2 muaj e 1 ditë, – si shef i qeverisë, Meta ka një shifër që e dallon mes të tjerëve: Rritja ekonomike e Shqipërisë, ishte 10 për qind. Pas stabilitetit ekonomik që solli qeveria e Meksit, nga 1992 deri në 1994, kjo është rritja më e madhe ekonomike që pa patur Shqipëria qysh nga rrëzimi i komunizmit. Jo vetëm Meta, por edhe shumë simpatizantë të tij, kanë vite që jetojnë ëndrrën që ai të nusërojë edhe një herë. E provoi Berisha këtë pas presidencës, dhe, realisht, dy vitet e qeverisë së tij 2005-2007, janë nga më të mirat në kët 27 vjet. Nëse Meta bëhej sërish kryeministër, padyshim ai do ketë ambicien që të realizojë një qeverisje e cila të dallojë në shumë drejtime nga ajo e Edi Ramës. Por Meta ka një pengesë të madhe për të qenë kryeministër. E para, me cilat vota do të bëhet i tillë. E dyta, nëse i ka këto vota, ai është zgjedhur president dhe si i tillë nuk mund të lërë aq lehtë mandatin dhe të zgjedhë drejtimin e qeverisë. Duket se llogaritë nuk bëhen kështu. Numri i votave mund të përmbushë gjithçka. Kështu Meta mund të tërhiqet nga detyra e presidentit, për të qenë kryeministër. Katapultimi i tij në krye të shtetit, ishte zgjedhje pa shumë dëshirë nga ana e tij dhe si e tillë, mes kryeministrit dhe presidentit, Ilir Meta padyshim do të zgjidhte të parin.

  1. Kryeministër teknik i caktuar nga PD-ja

Ka një skenar që, sipas gjasave, është më interesanti. Nëse PS-ja nuk merr 71 mandate dhe PD-ja dhe LSI-ja nuk pranojnë të bëjnë koalicion me të, opsioni është që PD-ja ka të drejtën të mandatohet nga presidenti i republikës për të patur ajo kryeministrin. Por ndodhur në një situatë që PD-ja nuk ka aq shumë mandate sa të diktojë kryeministrin, LSI dhe PDIU mund të vendosin kusht që as Lulzim Basha dhe as Petrit Vasili të mos jenë kryeministër. Duke qenë si forcë e parë, PD-ja mund të zgjedhë një kryeministër nga radhët e saj që mund të ketë më shumë profil teknik. Zëvendëskryeministrja aktuale, Ledina Mandija, por edhe emra të tillë si Tomorr Alizoti, Dritan Shano, janë pjesë e këtij opsioni. Megjithatë, mundësitë e këtyre llogarive janë minimale.

  1. Kryeministër teknik i caktuar nga LSI

Në pamundësi të variantit të 6-të, LSI mund të jetë ajo që mund të caktojë kryeministrin teknik. Ai mund të mos jetë nga strukturat e LSI-së, por mbështet këtë forcë politike. Emra të tillë si Sokol Nako, do të ishte ideal për LSI-në. Por nuk përjashtohen edhe emra të tillë si Pëllumb Xhufi, i larguar nga kjo forcë politike apo edhe ndonjë diplomat. Edhe ky opsion i ka mundësitë minimale.

  1. Kryeministër, PD-LSI

Është një skenar që ka shumë gjasa të ndodhë, nëse realizohet koalicioni. Por ngërçi mund të jetë emri se cili do të jetë kryeministër. Mes PD-së dhe LSI-së mund të ketë përplasje emrash, por zgjidhja mund të jetë një personazh i baraslarguar si nga PD-ja dhe nga LSI-ja. Halim Kosova do të ishte një emër shumë i pranuar edhe nga PD-ja dhe LSI-ja, për shkak të mungesës së konfliktualitetit, pranueshmërisë dhe pozitivitetit që ka. Kosova është emër që të dy këto forca, do ta pranonin si kryeministër në një situatë të tillë.

  1. Kryeministër i PDIU

PDIU, në këto momente, gjendet më afër LSI edhe pse janë pjesë e qeverisjes . Në mungesën e një dakordësie mes PD-së dhe LSI-së të një emri teknik, varka PDIU mund të jetë vërtetë shpëtim për të mos e dërguar vendin në krizë politike. Kjo varet dhe nga numri i vendeve në parlament, që do sigurojë kjo forcë politike. Sipas këtij skenari, Shpëtim Idrizi, por edhe Mesila Doda mund të jenë të dy emra që mund të jenë kryeministra. Megjithatë, gjasat janë minimale.

  1. Bujar Nishani, kryeministër

Bujar Nishani do të qëndrojë në godinën e presidencës edhe 29 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Gati, çdo gazetar që ka patur mundësi i ka bërë pyetjen se, çdo të bëjë kreu i shtetit pasi t’i mbarojë mandati. Kur e mori detyrën, Presidenti i 9-të i Republikës, tha se do tërhiqej nga politika pas mbarimit të mandatit. Por përplasjet me PS-në, e kanë bërë atë të shtojë oreksin politik, por edhe të mendojë të mos largohet prej saj. Një rikthim i mundshëm në PD, do të ishte një opsion, por në situatën e re të krijuar pas zgjedhjeve, emri i tij si kryeministër mund të ishte ideal, nëse PS-ja nuk arrin të mandatojë Ramën, kryeministër. Një mundësi që varet shumë nga llogaritë e votimeve që partitë do të kenë siguruar për në parlament.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close