Habilajt e Ramës si 21 janari i Berishës
22/10/2017 - 22:25 Nga: Andi Bushati

Një ironi e fatit i bën liderët tanë të sillen njësoj, kur kapen me duart të zhytuara në krim.

Edi Rama po vepron me skandalin e përfshirjes së ministrit të tij më të afërt dhe më të “suksesshëm”, në të njëjtën mënyrë si paraardhësi i tij me gardistët e 21 Janarit.

Po të kthejmë kokën pas dhe të shohim atë që ndodhi dy vite më parë, ngjashmëria është e frikshme.

Në shtator të 2015, atëherë kur një oficer policie, denoncoi për herë të parë lidhjen e ministrit të Brendëshëm me trafikantët e klanit Habilaj, Rama nuk gjeti dot asgjë më krijuese se sa shpikja e një alibie. Ai e akuzoi Dritan Zaganin si bashkëpunëtor të trafikantëve dhe si dekonspirues të aksioneve të policisë. Ai zhvilloi një tubim “madhështor” përpara 2 mijë policëve, në pallatin e kongreseve, për t’u thënë se vëmendja e tyre nuk duhej përqëndruar tek denoncuesi, por tek anatemimi i tij (lexo shkrimin poshtë).

Pra, për kryeministrin më e rëndësishme ishte të përleshej me faktet sesa të përballej me të vërtetën.

Sali Berisha bëri të njëjtën gjë pasi gardistët e tij vranë katër protestues të pafajshëm në bulevard. Fillimisht ai foli për çadra pistoletë dhe thika me helm. Ai këmbënguli deri në marrëzi se faji ishte i atyre që ndodheshin në anën e mirë të historisë (pra se të vrarët ishin qëlluar nga shokët e tyre), njësoj si Rama që i kërkoi policeve të dënonin aktin e kolegut të vet, që ai dhe Tahiri e kishin burgosur.

Por, kjo histori e propagandës që do të groposë të vërtetën duke i mbivënë asaj një gënjeshtër të madhe, nuk përfundon këtu. Historia e komportimit të ngjashëm të Edi Ramës dhe Sali Berishës është fatkeqësisht identike. Sjellja e tyre është e njëjtë edhe pasi e vërteta shpërthen në sy të të gjithëve.

Pasi doli me video se katër viktimat e 21 janarit ishin qëlluar nga gardistët brenda kryeministrisë, Sali Berisha zgjodhi planin B. Ai i harroi alibitë e çartura që kishte nxjerrë nga goja dhe shpiku historinë e “grushtit të shtetit”, ku ishin përfshirë prokuroria, opozita dhe mediat.

Të njëtën gjë po bën edhe Rama. Edhe ai ka vënë në veprim skenarin rezervë. Pasi alibia se Dritan Zagani ishte bashkëpuntor i trafikanëve ra, pasi përgjimet italiane treguan se në mbrojtje të tyre ishte qeveria, Rama filloi të flas për puç dhe komplot.

Ai bën sikur faktet e ardhura nga përtej Adriatikut nuk ekzistojnë dhe sikur gjithçka është një koalicion kundër tij, i organizuar nga prokurorët e nxitur prej opozitës dhe të ndihmuar nga mediat e kazanit.

Të dyja këto histori, aq identike në vullnetin për të varrosur faktet e bëjnë tejet më të lehtë kuptimin e së vërtetës. Por po aq sa na ndriçojnë për të shkuarën, ato kanë aftësinë të na bëjnë më të lexueshme edhe të ardhmen.

Megjithëse zgjati edhe dy vite e gjysëm pas 21 janarit, pushteti i Berishës mori përgjithnjë mbi vete njollën e krimit. Ai vazhdoi të mbijetojë, por humbi çdo legjitimitet dhe kredo morale.

E njejta etapë po hapet edhe për Ramën pas skandalit Habilaj- Tahiri. Për të, tani, ekziston dhe prova flagrante e një qeverisjeje që mbështet dhe mbron trafikantët. Vazhdimi i saj është vetëm një zgjatje agonie.

/Lapsi.al/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter