Koment: Pozicionimi i qartë kundër terrorizmit
19/06/2017 - 12:34 Nga: Loay Mudhoon

Marshi paqësor i myslimanëve në Këln ka dërguar disa mesazhe shumë të fuqishme. Të mira dhe të këqija, mendon Loay Mudhoon.

Të mbështetur nga politika dhe shoqëria civile, myslimanët dhe miqtë e tyre në Gjermani kanë protestuar të shtunën në Këln kundër terrorizmit në emër të fesë së tyre. Më në fund – thonë shumë politikanë, publicistë dhe kritikë të islamizmit, të cilët në muajt e fundit kanë kërkuar nga myslimanët që të distancohen qartë nga dhunë në emër të fesë së tyre.

Por në marshin paqësor, të organizuar pak a shumë në mënyrë private në Këln, nuk ishte detyrë primare distancimi nga veprat e turpshme të terroristëve.

Distancimi është në parim shumë problematik, sepse ai nënkupton një afërsi kolektive të myslimanëve me këta terorristë të çmendur, që nuk është e vërtetë. Tek e fundit, gati të gjitha autoritetet e rëndësishme myslimane në mbarë botën janë distancuar kaherë nga i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe e kanë cilësuar si një pjellë jo islame. Këtu duhet shtuar edhe faktin që shumica dërmuese e viktimave të terroristëve janë pikërisht myslimanët, nga vendet e fesë islame.

Në marshin paqësor në Këln është dashur të tregohet se mjetet “perfide të terrorizmit islamik”, nuk kanë të bëjnë fare me fenë islame. Por këto barbarizma kanë të bëjnë me fenë islame. Tek e fundit, atentatorët thirren në fenë islame. Por kjo nuk është vendimtare dhe nuk kontribuon shumë në shpjegimin e fenomenit komples të radikalizimit.

Shumë më e rëndësishme është se sa i besueshëm është ky pozicionim ndaj justifikimeve të këtyre veprave të tmerrshme të të vetëquajturve “luftëtarë të Zotit”.

Biografitë e xhihaditësve evropianë tregojnë se ata nga analfabetë fetarë shumë shpejt mund të shndërrohen në vrasës në emër të Zotit. Kriminelët e thjeshtë mendojnë se përmes vrasjes së njerëzve të pafajshëm mund t’i japin një kuptim jetës së tyre. Kjo është një formë e përhapur e radikalizmit dhe islamizimit në Evropë.

Mungesa e ndjenjave për shoqërinë

Iniciatorët e marrshit kishin për qëllim në radhë të parë që të pozcionohen qartë kundër terrorizmit, pas veprave të tmerrshme, në veçanti kundër fëmijëve në Manchester. Ndaj është shumë me rëndësi që grupet heterogjene nga myslimanët, jo myslimanët, njerëzit fetarë dhe jo fetarë, të krishterët dhe jo krishterët të dërgojnë një sinjal kundër këtyre veprave. Fakti që numri i pjesëmarrësve ishte shumë më i vogël se ai që oranizatorët kishin planifikuar, nuk e dobëson në asnjë mënyrë sinjalin e marrshit të paqës.

I pakuptueshëm mbetet qëndrimi i disa kritikëve të fesë islame, por edhe shoqatës më të madhe të mysliamënve në Gjermani Ditib, të cilët nuk ishin tepër të lumtur me këtë iniciativë qytetare. Sjellja e Ditib hapë shumë pyetje. Ai e ka përshëndetur së pari këtë protestë, por ka refuzuar pjesëmarrjen me shpjegimin se një protestë e tillë nuk duhet të mbahet në kohën e Ramazanit.

 I papranueshëm është edhe shpjegimi i Ditib se për këtë shkak nuk ka pasur shumë pjesëmarrës në këtë protestë sikur edhe qëndrimi i tyre se ata janë të vetmit përfaqësues legjitimë të besimtarëve të fesë islame.

Demonstrata e Këlnit me siguri që nuk do t’i ndalojë terroristët në qëllimet e tyre dhe nuk do t’i impresionojë ekstremistët. Por ajo tregon se sa e vogël është shkalla e koordinimit mes aktivistëve të shoqërisë civile tek mysliamnët dhe sa e lartë është shkalla e përpjekjeve për instrumentalizimin e kësaj çështjeje nga shoqatat myslimane.

Në Gjermani akush – asnjë shoqatë apo person – nuk mund të thotë se është përfaqësuesi i vetëm i myslimanëve. Kjo është demonstruar në mënyrë të fuqishme edhe në protestën e ditës së shtunë në Këln./DW/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close