Masakra në Mianmar - Aung San Suu Kyi i shmanget Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
13/09/2017 - 16:47

Udhëheqësja ‘de fakto” e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, anuloi planet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahen gjatë këtij muaji, mes kritikave ndërkombëtare në rritje për qasjen e saj ndaj dhunës në Mianmarin perëndimor që detyroi më shumë se 3790 mijë myslimanë Rohingya të ikin në Bangladesh.

Zëdhënësi i qeverisë, Zaw Htay, tha të mërkurën se fituesja e çmimit Nobel do të qëndrojë në Mianmar për t’u përballur me situatën e sigurisë.

Aung San Suu Kyi, mbahej si ikonë e demokracisë për shkak të burgosjes së saj dhjetëra vjeçare nën sunduesit e mëhershëm ushtarak të Mianmarit. Por, indiferenca e saj ndaj gjendjes së rohingyave në shtetin Rakhine – duke hedhur poshtë raportimet për situatën si “informacione të rrejshme” në interes të “terroristëve”, – nxiti përçmimin nga qeveritë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe një numri të fituesve të çmimit Nobel për paqe.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në takim emergjent të mërkurën për dhunën dhe krizën humanitare në Rakhine. Takimi është kërkuar nga Britania e Madhe dhe Suedia pasi që shefi shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, ju referua trajtimit të rohingyave si “një doracak i spastrimit etnik”.

Dhuna shpërtheu më 25 gusht kur një grup i militantëve rohingya sulmoi një duzinë stacionesh policore dhe bazash ushtarake, në një përpjekje, siç tonë ata, për të mbrojtur pakicën e tyre etnike nga përndjekjet. Më shumë se 400 veta u vranë gjatë përleshjeve dhe kundërsulmit ushtarak që nxiti eksodin aktual.

Duke folur nga Bangladeshi, Tirana Hassan, nga Amnesty International, tha se “këta njerëz kanë ecur me ditë të tëra për të ikur nga ajo që mund të përshkruhet vetëm si abuzim sistematik”, tha ajo.

“Ka djegie në shkallë të gjerë. Ndonëse qeveria e Mianmarit synon të arsyetojë këtë fushatë – që është fushatë që ka në shënjestër rohingyat – si operacion kudnër kryengritësve, kjo nuk është e vërtetë. Dëshmitë flasin se kjo është një formë dënimit kolektiv pas 25 gushtit kur kryengritësit rohingya sulmuan një numër stacionesh policore, duke vrarë një duzinë zyrtarësh të sigurisë. Ajo çfarë kemi parë si përgjigje ndaj sulmeve është një dënim kolektiv që ka vënë në shënjestër popullsinë rohingya.”

Jean Leiby nga UNICEF-i tha se kampet janë plot me fëmijë në gjendje të rëndë. Ai tha se rreth 200 mijë fëmije mund të jenë të rrezikuar nga sëmundjet dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë.

Rohingyat janë një nga shumë pakicat kombëtare në Mianmarin me shumicë budiste. Ata konsiderohen si migrues ekonomik dhe u është mohuar shtetësia, ndonëse shumica e tyre mund të dëshmojnë se jetojnë në Mianmar me gjenerata. /VOA/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento