Hakerët e Koresë së Veriut prishin planin amerikan për vrasjen e Kim Jong Un
10/10/2017 - 14:15 Nga: Xhoi Zajmi

Koreja e Veriut mendohet se ka vjedhur dokumenta sekrete nga Koreja e Jugut, përfshi edhe një plan për vrasjen e liderit Kim Jong-un. Informacioni i vjedhur vitin e kaluar i përket Ministrisë koreano-jugore të Mbrojtjes dhe përfshin gjithashtu plane lufte të skicuara nga Seuli zyrtar dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk ka ende një reagim nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me pretendimin.

Piratë kompjuterikë nga Koreja e Veriut raportohet se kanë vjedhur një numër të madh dokumentesh ushtarake nga Koreja e Jugut, ku përfshihet edhe një plan për vrasjen e liderit koreano-verior Kim Jong-un. Sipas ligjbërësit koreano-jugor Rhee Cheol-hee, informacioni i vjedhur i përket ministrisë së mbrojtjes së vendit. Dokumentet në fjalë përfshijnë plane lufte të ideuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut, si dhe raportime për komandantët amerikanë.

Zoti Rhee u shpreh se rreth 235 gigabajt dokumenta ushtarakë janë vjedhur nga Qendra e të Dhënave të Integruara të Mbrojtjes, ndërkohë që hakerimi ka ndodhur shtatorin e vitit të kaluar. Në maj, Koreja e Jugut deklaroi se një sasi e madhe të dhënash ishin vjedhur dhe se fqinjët veriorë mund të kenë qenë autorët e këti sulmi kibernetik. Sidoqoftë, nuk ka ende një koment zyrtar nga ministria koreano-jugore e mbrojtjes lidhur me këtë pretendim.

Shteti i izoluar koreano-verior mendohet se ka në krah piratë kompjuterikë të stërvitur specifikisht. Lajmi se Peniani mund të ketë aksesuar planet luftarake të Seulit dhe Uashingtonit nuk do të bëjë asgjë në zbutjen e tensionit mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Dy kombet janë përfshirë në mosmarrëveshje verbale lidhur me aktivitetet bërthamore të Veriut. SHBA bën presion për ndërprerjen e testimeve bërthamore ndërsa Peniani është zotuar se nuk do të ndalojë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter