Abe i vendosur - Kryeministri japonez premton diplomaci të fortë ndaj Penianit
23/10/2017 - 8:15 Nga: Xhoi Zajmi

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka premtuar “diplomaci të fortë” ndaj Koresë së Veriut, teksa sondazhet paraprake e nxjerrin fitues të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në vend. Ky rizgjedhje e tij në krye të vendit, me një rezultat të pastër, e bën zotin Abe kryeministrin më jetëgjatë në Japoninë e pas-luftës.

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka premtuar të “përballet me vendosmëri” me Korenë e Veriut, pasi sondazhet paraprake tregojnë se ai ka arritur një fitore të pastër në zgjedhjet e së dielës.

Zoti Abe kërkoi zgjedhje të parakohshme për të konsoliduar mandatin e tij në krye të vendit e për të zgjidhur krizat me të cilat Japonia përballet, duke përfshirë këtu edhe kërcënimin nga Peniani.

Sipas raportimeve të mediave lokale, koalicioni qeverisës i zotit Abe arritur të mbajë shumicën në parlament, gjë që i hap rrugën kryeministrit për të amenduar kushtetutën e Japonisë së pas-luftës.

Më herët, Abe kërkoi formalizimin e forcës së armatosur të vendit, një lëvizje që kryeministri thotë se është e nevojshme për të forcuar mbrojtjen e Japonisë, por që kritikët e shohin si një hap drejt militarizimit.

Vetëm dy muaj më parë, popullariteti i Kryeministrit ishte në rënie, por pasi Koreja e Veriut lëshoi dy raketa mbi ishullin japonez Hokkaido, nivelet e mbështetjes për Abe u rritën, falë përgjigjes së tij të ashpër ndaj Penianit. Sipas analistëve, rizgjedhja e kryeministrit vjen gjithashtu falë situatës kaotike në të cilën ndodhen partitë opozitare në Japoni.

Kjo fitore e bën Abe kryeministrin më jetëgjatë të Japonisë së pas luftës, teksa rikujtojmë se ai u zgjodh për herë të parë në këtë post në vitin 2012.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento