OBSH: Mugabe më nuk është ambasador i vullnetit të mirë
22/10/2017 - 17:50

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se e ka tërhequr emërimin e presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabe, si ambasador të vullnetit të mirë, pasi ky nominim ka shkaktuar kundërshtime të shumta nga donatorët perëndimorë dhe grupet për të drejtat e njeriut.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, e emëroi Mugaben në këtë post, kryesisht ceremonial, gjatë një konference për sëmundjet joinfektive javën e kaluar.

Në deklaratën e tij të sotme, Ghebreyesus tha se ka “reflektuar” gjatë pak ditëve të kaluara, pas kritikave të fuqishme dhe shqetësimeve të shprehura nga liderët ndërkombëtarë dhe ekspertët e shëndetësisë për zgjedhjen e Mugabes.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj “kam vendosur ta anuloj emërimin”, tha Ghebreyesus në deklaratën e tij dhe ka shpjeguar se vendimi ishte bërë në interesin më të mirë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Tedros Ghebreyesus, po ashtu, tha se është konsultuar me qeverinë e Zimbabvesë për vendimin e tij.

Perëndimi e fajëson Mugaben, 93 vjeçar, për shkatërrimin e ekonomisë së Zimbabvesë dhe për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, gjatë 37 viteve sa ishte president ose kryeministër i këtij vendi.

Në Zimbabve, Robert Mugabe për një kohë të gjatë është kritikuar për mjekim jashtë vendit të tij, derisa sistemi shëndetësor në këtë vend është përkeqësuar për shkak të krizës ekonomike./REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento