Parlamenti grek miraton ligjin për ndryshimin e gjinisë
11/10/2017 - 11:21 Nga: Xhoi Zajmi

Një ligj i ri i miratuar nga parlamenti grek do t’i lejojë qytetarëve mbi moshën 15 vjeç të ndryshojnë gjininë e tyre pa një operacion mjekësor. Ligji është mirëpritur nga aktivistë të komunitetit LGBT, ndërkohë që përfaqësues fetarë dhe politikanë konservatorë e kritikuan draftin e ri si imoral e jo të përshtatshëm.

Parlamenti grek ka miratuar një ligj të ri që do të lehtësojë ndryshimin e gjinisë ligjore për njerëzit. Qytetarët mbi moshën 15 vjeç tashmë do të mund të ndryshojnë gjininë e tyre me vendim gjykate, pa patur nevojën e një operacioni mjekësor.

Aktivistë të komunitetit LGBT u shprehën se ligji i ri është një përmirësim, por gjithsesi nuk bën mjaftueshëm për të lejuar “vetëvendosjen e plotë” për personat transgjinorë.

Politikanë konservatorë e kritikuan ndryshimin e ligjit me argumentin se kufiri për moshën minimale është shumë i ulët. Edhe Kisha Ortodokse Greke e konsideroi ligjin e ri si imoral.

Në një deklaratë, përfaqësuesit fetarë thanë se ligji sfidon zakonet dhe shkatërron njerëzit. Në përgjigje, kryeministri Alexis Tsipras u shpreh se asnjë traditë apo perceptim për familjen nuk mbështet lënien në harresë sociale dhe institucionale të asnjë personi.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter