Presidenti çek “gjen zgjidhje” për Krimenë, Ukraina proteston!
11/10/2017 - 17:14

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman u tregoi parlamentarëve evropianë qëndrimin e tij ndaj Krimesë, duke theksuar se çështja mund të zgjidhej nga Moska duke paguar kompensim për Ukrainën.

Ideja u hodh poshtë gjithashtu nga Rusia.

“Sipas mendimit tim, do të ketë disa kompensime për Ukrainën [për humbjen e Krimesë] … para, naftë apo gaz,” i tha Zeman Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) gjatë fjalimit të tij në gjuhën angleze në Strasburg, Francë.

Kreu çek gjithashtu u bëri thirrje politikanëve evropianë të pranojnë shkëputjen e gadishullit nga Ukraina si “fait accompli”.

“Nëse duam të marrim Krimenë dhe ta kthejmë atë në Ukrainë, do të thotë një luftë evropiane … Ne duhet të shmangim luftën evropiane dhe ju duhet ta kuptoni këtë,” u tha ai deputetëve nga shtetet evropiane.

Në vend të kësaj, ai kërkoi që Rusia dhe Ukraina të zhvillojnë lidhje më të ngushta ekonomike dhe diplomatike, duke vënë në dukje nisma jo-kontroverse si shkëmbimet e studentëve si pikënisje.

Në mes të këtij fjalimi, delegacioni i PACE i Ukrainës, i kryesuar nga Aleksey Goncharenko, u largua nga salla e kuvendit, duke u thënë gazetarëve se “Zeman mund të ofrojë edhe shitjen e Karlovy Vary për rusët”.

Një zyrtar i lartë rus gjithashtu tha se “Krimeja nuk është subjekt i bisedimeve apo transaksioneve”.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter