Muri i Trump - Presidenti i SHBA propozon një listë të re masash kundër emigracionit
09/10/2017 - 22:42 Nga: Xhoi Malësia

Presidenti amerikan Donald Trump ka paraqitur një listë me propozime të reja për të mposhtur emigracionin ilegal në vend. Në listë përfshihen mes të tjerash, arritja e një marrëveshjeje të re për emigrantët e padokumentuar si dhe ndërtimi i murit kufitar me Meksikën. Por propozimet e reja të Presidentit republikan janë refuzuar nga demokratët në Kongres.

Çdo marrëveshje për emigrantët e rinj e të padokumentuar si dhe muri kufitar me Meksikën është pjesë e listës së re me propozimet e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund emigracionit ilegal në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump kërkon mes të tjerash, financime për murin, procedura më të shpejta dëbimi si dhe punësimin e mijëra zyrtarëve të rinj të emigrimit.

Vetëm një muaj më parë, ai i dha fund programit të “Ëndërrimtarëve” të ish-presidentit Barack Obama, prej të cilit përfitonin rreth 800.000 emigrantë.

Por figura kryesore të demokratëve në Kongres i kanë refuzuar propozimet më të fundit të presidentit.

Ky i fundit akuzohet nga demokratët se nuk i është përmbajtur premtimit për të mos e përfshirë murin kufitar në negociatat për statusin e emigrantëve të rinj, që vijnë kryesisht nga Meksika dhe vende të tjera latino-amerikane.

Programi i ish-presidentit Obama, i njohur ndryshe si DACA, do të përfundojë në marsin e ardhshëm duke hedhur dyshime mbi të ardhmen e personave që mbrohen nga ky program.

Presidenti Trump i dha 6 muaj kohë Kongresit për të nxjerrë një legjislacion të ri për të ndihmuar “Ëndërrimtarët”.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento