Piugdemont pro bisedimeve - Katalonja ‘pezullon’ pavarësinë, kërkon dialog me Spanjën
10/10/2017 - 19:43 Nga: Xhoi Malësia

Katalonja ka preferuar që të pezullojë përkohësisht shpalljen e pavarësisë, me qëllim që t’i hapë rrugën një procesi dialogu. Në deklaratën e mbajtur në Parlament, Presidenti Carles Puigdemont, u shpreh se do të pranojë negociatat, por theksoi se mbetet i vendosur për ndarjen përfundimtare nga Spanja. Tashmë pritet deklarata e kryeministrit Mariano Rajoy nga salla e Parlamentit spanjoll.

Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka pranuar të pezullojë përkohësisht efektet e shpalljes së pavarësisë, me qëllim që të nisë një proces dialogu me qeverinë e Madridit, por është shprehur se nuk do të heqë dorë nga zbatimi i vullnetit të qytetarëve, të cilët me anë të votës kërkuan një shtet të pavarur.

Në fjalën e mbajtur në Parlament, lideri i rajonit tha se qëndrimi i popullit në referendumin e datës 1 Tetor ishte mjaft i qartë, dhe se Katalonja e ka fituar të drejtën për t’u shkëputur nga Spanja, por theksoi se do të pranojë të hyjë në bisedime me qëllim që të ulen tensionet.

Carles Puigdemont: “Qeveria ime dhe unë propozojmë që të pezullojmë efektet e deklaratës së pavarësisë me qëllim që të zhvillojmë bisedime gjatë javëve të ardhshme. Pa to e kemi të pamundur që të arrijmë një marrëveshje e cila do të pranohet nga të gjithë. Ne besojmë fuqimisht se ky moment duhet shfrytëzuar për të ulur tensionet, por mbi të gjitha për të gjetur kompromisin që do të  avancojë kërkesën e qytetarëve katalanas, duke parë rezultatet e referendumit të 1 tetorit.”

Më tej, duke bërë një paralelizëm me rastin e Skocisë në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i bëri një kërkesë të drejtëpërdrejtë qeverisë së Madridit duke kërkuar një tjetër referendum legjitim, rezultati i të cilit të njihet nga të gjitha palët.

Tashmë pritet të shihet seçcfarë qëndrimi do të mbajë Madridi zyrtar.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, pritet të ketë ketë një deklaratë nga salla e parlamentit, ku do të japë këndvështrimin e tij mbi situatën e krijuar.

Megjithatë, lideri konservator e ka bërë të qartë se shpallja e pavarësisë nga Katalonja nuk do të njihej nga qeveria, pasi shkel Kushtetutën spanjolle.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento