Hetimet - SHBA, a ka penguar Presidenti Trump drejtësinë?
16/06/2017 - 7:58

Në SHBA, Prokurori i Posaçëm që po heton rreth ndikimit të Moskës në zgjedhjet presidenciale dhe lidhjeve të mundshme të ekipit të fushatës së zotit Trump me Rusinë është zgjeruar, duke përfshirë një pistë të re: hetimin për të parë nëse presidenti ka penguar drejtësinë.

Njoftimi u bë mbrëmë me anë të shkrimeve të botuara në gazetat Washington Post, New York Times dhe Wall Street Journal, bazuar në pohimet e personave që kanë dijeni rreth çështjes.

Sipas gazetave, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka në plan të marrë në pyetje Drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës, Dan Coats, Drejtorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Michael Rogers dhe ish-zëvendësdrejtorin e kësaj agjencie, Richard Ledgett.

Sipas njoftimeve të gazetave Washington Post dhe Wall Street Journal, zoti Ledgett ka hartuar një dokument zyrtar, në të cilin përshkruan një telefonatë të Presidentit Trump për zotin Coats, ku presidenti i kërkon të pohojë publikisht se ekipi i tij nuk ka bashkëpunuar me Rusinë.

Gjithnjë sipas gazetës, Presidenti Trump ka bërë një kërkesë të ngjashme në një telefonatë për zotin Rogers.

Mark Corallo, zëdhënës i avokatit personal të zotit Trump, reagoi, duke thënë se “rrjedhja e informacionit nga FBI-ja lidhur me presidentin është skandaloze, e pafalshme dhe e paligjshme”.

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, e kritikoi shkrimin e gazetës Washington Post si një “akuzë të pabazuar”.

Ajo tha në një deklaratë se “ende nuk ka ndonjë provë për pengim (të drejtësisë) dhe drejtuesit e tanishëm e të mëparshëm në komunitetin e inteligjencës kanë thënë vazhdimisht se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të penguar hetimin në një mënyrë apo një tjetër”.

Vetë zoti Trump përdori sot në mëngjes Twitterin për t’iu përgjigjur gazetave:

“Ata sajuan një histori për gjoja bashkëpunim me Rusinë, nuk gjetën as edhe një provë dhe tani ngrejnë akuza për pengim të drejtësisë në këtë histori të rreme”, komentonte Presidenti Trump.

Në muajin maj, zoti Trump shkarkoi drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve James Comey, duke thënë më vonë se kishte në mendje “punën e Rusisë” kur vendosi ta heqë atë. Në kohën e shkarkimit, James Comey ishte duke drejtuar hetimin e FBI-së rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Rreth një javë më vonë, Robert Mueller u emërua si këshilltar i posaçëm për të drejtuar këto hetime.

Javën e kaluar, zoti Comey dëshmoi para një komisioni të Senatit, duke thënë se Presidenti kishte folur privatisht me të disa herë, duke përfshirë biseda telefonike dhe një takim në Zyrën Ovale.

Zoti Comey tha se Presidenti ishte përpjekur ta bindë të hiqte dorë nga hetimi i ish-këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn dhe se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë përhapën “gënjeshtra të pastra”, për të mbuluar arsyen e shkarkimit të tij.

“Unë u shkarkova për shkak se mënyra me të cilën po kryeja hetimet rreth Rusisë po i bënte presion” zotit Trump, dëshmoi ish kreu i FBI-së.

Menjëherë pas dëshmisë së zotit Comey, avokati personal i presidentit, Marc Kasowitz, u tha gazetarëve se Presidenti Trump “asnjëherë, në formë apo substancë, nuk udhëzoi apo sugjeroi që kreu i FBI-së të ndalte hetimin e ndokujt”./VOA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Tre vatra zjarri në qarkun e Dibrës, rrezikohet kurora e Lurës

Close