Turqi - SHBA pezullon vizat, Erdogan shqetësohet
10/10/2017 - 14:30 Nga: Xhoi Zajmi

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka përshkruar vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar shumicën e shërbimeve të vizave si “shqetësues”. Në një konferencë për shtyp nga Kievi, kreu i shteti u shpreh se zyrtarët turq kanë kontaktuar me homologët e tyre amerikanë mbi vendimin.

Lëvizja erdhi në përgjigje të arrestimit të një zyrtari turk që punon në konsullatën amerikane në Stamboll, javën e kaluar. Zyrtari dyshohet se ka lidhje me klerikun Fethullah Gülen, të cilin Erdogan e akuzon si organizues të grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar.

Si kundërpërgjigje, Turqia lajmëroi pezullimin e shërbimeve të vizave në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që autoritetet kanë urdhëruar arrestimin e një tjetër punonjësi të konsullatës.

Ambasadori amerikan në Turqi u shpreh se kohëzgjatja e pezullimit të vizave do të varet nga bisedimet mes dy qeverive. Sipas ambasadorit John Bass, pezullimi gjithashtu varet nga angazhimi i qeverisë turke në mbrojtjen e godinave dhe personelit amerikan në Turqi.

Në vitin fiskal 2016, Shtetet e Bashkuara lëshuan më shumë se 113.000 viza jo-emigruese në Stamboll dhe Ankara, sipas të dhënave nga Departamenti i Shtetit. Mosmarrëveshja e re diplomatike mes palëve ka shkaktuar lëkundje të monedhës dhe bursës turke.

Ndërkaq, kompanitë ajrore turke kanë ofruar rimbursim për pasagjerët të cilët kanë prerë bileta nga dhe drejt Shteteve të Bashkuara deri në 31 tetor.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter