Mësynë në ambasadën spanjolle - Solidaritet me Katalonjën, arrestohen 18 anakristë në Athinë
12/10/2017 - 9:37 Nga: Robert Goro

Në Greqi 18 anarkistë janë arrestuar pas dhunimit të ambasadës së Spanjës në Athinë.

Të gjithë ata, pjesëtarë të grupimit anarkist “Rubikon”, mësynë brenda selisë së ambasadës, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj vendimit për pavarësi të Katalonisë.

Njeri prej tyre u paraqit në hyrje me pretekstin se kishte një dokument për përkthim. Po sapo porta e ambasadës u hap, aty mësynë 20 anarkistë.

Disa anarkistët të tjerë u ngjitën në çatinë e godinës dhe shpalosën një banderolë të shkruajtur në spanjisht dhe greqisht.

Anarkistët hodhën në hyrje të ambasadës fletushka me parrulla si “Solidariteti është arma e popujve”, “Dënojmë dhunën dhe raplezaljen shtetërore”, si dhe parrullën e njohur të antifashistëve gjatë luftës civile të Spanjës, “No pasaran”.

Policia ndërhyri menjëherë, duke i shoqëruar në komisariatin e Athinës, e më pas prokuroria urdhëroi mbajtjen në arrest të 18 personave, që të gjithë të rinj.

Anarkistët kanë bërë thirrje për një tubim para drejtorisë së përgjithshme të policisë, të enjten, që të protestojnë kundër arrestimeve dhe dënimit eventual të shokëve të tyre.

Në Athinë janë një gjë e zakonshme protestat para ambasadave të vendeve të huaja, por ishte një akt pa precedent hyrja brenda hapësirës së përfaqësisë diplomatike të një vendi të huaj. Prandaj dhe një nga akuzat që u është komunikuar të arrestuarve është ajo e cënimit të marrëdhënieve të Greqisë me një shtet tjetër.

Ambasadori i Spanjës në Athinë u shpreh i tronditur nga ngjarja.

“Jam ende i tronditur dhe i befasuar pse nuk më ka ndodhur më të përballem me ngjarje të tilla. E rëndësishme është se gjithçka përfundoi mirë dhe nuk pati asnjë të lënduar”, deklaroi ambasadori Enrique Viguera Rubio.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter