‘Solidaritet në kohë tragjedie’, përgjigja njerëzore pas fatkeqësisë në “Grenfell”
16/06/2017 - 14:05 Nga: Xhoi Zajmi

-“Dua që çdo gjë të mos jetë e vërtetë. Dua që ajo të jetë mirë me fëmijët. Nuk dua të më marrë malli për të. Dua të kthehet. Vetëm kaq.”

-“Njoh familje egjiptiane që jetojnë aty, njoh familje nga Somalia, njoh anglezë që jetojnë atje. Jemi një përzierje e gjithçkaje dhe çdokujt dhe jemi një komunitet shumë i lidhur. Kjo na ka shkatërruar.”

-“Unë fola me të dhe fjalët e fundit që më tha ishin ‘të lutem më fal nëse të kam mërzitur ose të kam lënduar, nuk mendoj se do të dalim nga godina’.”

-“Ai tha ‘të lutëm thuaji mamasë të lutet për mua’ dhe po më kërkonte të vendosja Kuranin për të. Më pyeti ‘a je i lumtur me mua, je i lumtur për mua, ke ndonjë problem me mua?’ I thashë se nuk kisha problem me të, ai kishte një zemër të ëmbël dhe do të shpëtonte gjallë. Më pas ai, duke folur gjithnjë e më ngadalë më tha ‘Nuk do t’ia dal Hashem’.”

Këto janë vetëm disa nga dëshmitë dhe fjalët e fundit të personave që përjetuan momente tmerri kur kulla Grenfell në perëndim të Londrës u përfshi në flakë, në orët e para të mëngjesit të 14 qershorit. Një incident që mori përmasa tragjike, me të paktën 17 viktima të konfirmuara e me rreth 76 persona të shpallur të humbur.

Por edhe këto shifra janë provizore, pasi ekziston frika se bilanci i vërtetë i viktimave mund të tejkalojë 60. Tashmë nuk ka më shpresa nga shërbimet e emergjencave për të gjetur të tjerë të mbijetuar dhe identifikimi i viktimave do të jetë një proces i gjatë e i mundimshëm, në mos, i pamundur.

Në një kohë si kjo, solidariteti brenda komunitetit lokal por edhe më gjerë është e vetmja gjë që mund të lehtësojë sadopak një situatë të tillë. E kjo nuk ka munguar në këtë rast, pasi nga përqark Londrës, njerëz të të gjitha prejardhjeve etnike janë treguar të gatshëm për të dhënë një ndihmesën e tyre.

Ushqime, rroba, batanije, mbështetje moreale, gjithçka që mund të ndihmojë për të lehtësuar situatën, është dhënë tërësisht pa kushte.

Nuk mbetën jashtë frymës solidare as personazhe të njohura në Britani si Mbretëresha Elizabeth, këngëtaret Adele e Rita Ora, të cilat shkuan vetë në vendngjarje, për të dhënë ndihmën e tyre dhe për t’i ardhur pranë personave të prekur nga ky incident. Sepse raste të tilla të rënda na kujtojnë sa e shkurtër është jeta dhe sa lehtë ajo mund të humbet.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Duhanpirja, shkaku kryesor i kancerit të mushkërive

Close