Përplasja - Trump: Tillerson më quan budalla?! Bëjmë testin e inteligjencës
10/10/2017 - 17:31 Nga: Xhoi Malësia

Presidenti Trump e ka ftuar Sekretarin e tij të Shtetit, Rex Tillerson për një test inteligjence, duke ju kundërpërgjigjur raportimeve mediatike se kreu i diplomacisë e kishte quajtur liderin e ShBA-së budalla. Trump nënvizoi se nuk beson se ky është një lajm i vërtetë, por theksoi se nëse Tillerson është shprehur realisht në atë mënyrë, atëherë të dy mund të testojnë inteligjencën dhe të krahasojnë rezultatet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka sfiduar Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, për të kryer një test inteligjence, pas raportimeve mediatike se shefi i diplomacisë së ShBA-së, e ka quajtur liderin e Uashingtonit budalla.

I pyetur nga gazetarët e prestigjozes Forbes, Trump theksoi se mbi të gjitha beson se bëhet fjalë për një lajm të rremë.

Megjithatë, Presidenti shtoi se nëse Tillerson e ka bërë vërtet diçka të tillë, atëherë të dy mund të bëjnë një test për të parë shkallën e tyre të inteligjencës.

“Pasi të analizojmë rezultatet unë mund t’iu them se kush fitoi”, tha Trump në intervistën e tij për Forbes.

Mediat kanë shkruar së fundmi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka patur një sërë mosmarrëveshjesh me antarët e kabinetit të tij, e më kryesisht me Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson.

Sipas burimeve konfidenciale të gazetarëve amerikanë, lideri i Shtëpisë së Bardhë dhe kreu i diplomacisë kanë patur një sërë qëndrimesh të kundërta për çështje të ndjeshme, ndërsa si rasti më flagrant renditet Koreja e Veriut.

Megjithatë, në një deklaratë për mediat, diçka e tillë u mohua nga Sekretari Tillerson, i cili theksoi se nuk e ka konsideruar për asnjë moment largimin nga detyra që mban aktualisht.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter