Auditimi - KLSH: DAP po pengon reformën në administratë
12/10/2017 - 16:27 Nga: Erblina Mile

Hedhja e të dhënave në sistem pengon zbatimin e reformës në administratë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur si shqetësim hedhjen e të dhënave të punonjësve të adminstatës në sistemin informatik të menaxhimit të burimeve njerëzore. Nga auditi rezulton se në sistem janë vetëm 55 % e të dhënave.Njësitë e qeverisjes vendore janë ato që kanë nivelin më të ulët të plotësimit të të dhënave.Nisur nga kjo KLSH ka rekomanduar që Departamenti i Administratës Publike të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë që disponon, për të detyruar institucionet të përfundojnë procesin e plotësimit të dhënave.

Departamenti i Administratës Publike po pengon zbatimin e reformës në administratë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim për periudhën prill-maj 2017 ku ka konstatuar se në Sistemin Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore janë hedhur vetëm 55 % e të dhënave të punonjësve të administratës që kanë lidhje me arsimin, kualifikimn apo trajnime të ndryshme.

Njësitë e qeverisjes vendore janë institucionet që kanë nivelin më të ulët të hedhjes së të dhënave në këtë sistem.

Por ka edhe një sërë Ministrish të cilat ende nuk kanë hedhur të dhënat e plota midis të cilave Ministria e Brendshme, Ministra e Jashtme si dhe Ministria e Arsimit.

Sipas KLSH-së, efektiviteti dhe efiçensa e këtij sistemi nuk është arritur dhe nuk dihet ende kur mund të arrihet.

Nisur nga këto të dhëna, KLSH argumenton se DAP nuk ka kryer monitorime apo auditime të procesit të plotësimit me të dhëna nga ana e institucioneve përdoruese në sistem.

Nisur nga këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Departamenti i Administratës Publike të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të ushtrojë kompetencat e tij monitoruese dhe audituese për të evidentuar problematikat, me qëllim adresimin e tyre dhe formulimin e zgjidhjeve efektive dhe efiçiente.

Gjithashtu KLSH rekomandon që Departamenti i Administratës Publike të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të ushtrojë kompetencat e tij për të evidentuar institucionet, të cilat ende nuk kanë plotësuar sistemin me të dhëna, duke u kërkuar përmbushjen e detyrimit të tyre ligjor.

Bërja plotësisht funksionale e sistemit dhe lidhja e tij me Sistemin e Thesarit kanë qenë prioritete të përcaktuara edhe në Progres-Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter