Programi i qeverisë - Shano: Mungojnë investimet, Shqipëria se kap dot rritjen ekonomike 5%
13/09/2017 - 17:44 Nga: Jonida Tashi

Shqipëria e ka të pamundur të arrijë një rritje ekonomike prej 5% në vit, siç parashikon programi i qeverisë “Rama” në mandatin e dytë, në kushtet kur në vend mungojnë investimet e huaja dhe ato në infrastrukturë.

Shano: “Rritja ekonomike e 3 viteve të fundit është udhëhequr vetëm nga dy investime, që është TAP dhe Kaskada e Devollit. Në momentin që këto dy investime e zvogëlojnë përmasën e tyre, rritja ekonomike do bjerë, sepse e gjithë struktura e ekonomisë shqiptare, i gjithë miksi fiskal që ka propozuar kjo qeveri, i cili është më i larti në rajon; rritja e inovacionit, ku ne jemi të fundit; rritja e produktivitetit, ku ne jemi të fundit, të çojnë të besosh që ekonomia shqiptare nuk e ka një bazament ku të krijojë një rritje prej 5% në vit”.

Për ekspertin, Dritan Shano, programi i qeverisë “Rama 2” nuk arrin të korrigjojë dot asnjë nga problemet e mëdha të krijuara në mandatin e parë, një prej të cilave thekson ai është largimi i qindra shqiptarëve nga vendi.

Shano: “Ne sot kemi një ekonomi të dobët që është e fundit në rajon. Ne sot kemi një situatë kur kredia për ekonominë nuk rritet, por bie. Të ardhurat për çdo shqiptar kanë rënë me nga 2%. Ne sot kemi një situatë kur vendin e kanë braktisur mbi 200 mijë shqiptar”.

Shano shprehet pesimist edhe për objektivin për të ulur borxhin publik në nivelin 60% pas 4 vitesh, në fund të mandatit qeverisës.

Shano: “Borxhi sot është në nivele shumë të larta, të shkaktuara sidomos nga partneritetet publike-private që kanë prodhuar një borxh që është në nivelet prej 8.2 miliardë eurosh, është mbi 80% e GDP-së. Borxhet ndaj biznesit sot janë në nivelin prej 300 milionë eurosh. Janë të gjitha këto performanca fiskale të dobëta që bëjnë që borxhi i Shqipërisë jo vetëm që nuk do të ulet në nivelin 60% siç pretendon qeveria, por ka të ngjarë të rritet edhe më”.

Sipas programit të qeverisë të miratuar edhe në Kuvend, qeveria shprehet e vendosur për të vijuar Partneritetin Publik Privat për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, duke besuar me se paketën “1 Miliard” do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter