Akademia e Shkencave pa gojë! 
14/09/2017 - 22:40 Nga: Artan Fuga

Në Maqedoni vitin në vazhdim u vu në rrezik përdorimi zyrtar dhe institucional i gjuhës shqipe, edhe me përkrahje rrethesh akademike. Kërkuam që Akademia e Shkencave të prononcohej, ta mbronte gjuhën shqipe si pjesë e çështjes kombëtare, por kërkesa ra në vesh të shurdhër. Pa fjalë

Para disa vitesh u hap debati dhe ecën negociimet kur Greqia i merrte arbitrarisht ujra territoriale të Shqipërisë. Sikurse tregon profesor Pashaj iu kërkua Akademisë të Shkencave të mobilizonte fuqi intelektuale për ta përballur këtë problem. Kujt i flet? Mos na ngatërroni me këtë!

Vitin e Skënderbeut dëshiron t’a organizojë se për ceremoni mortore dhe përkujtimore është më e aftë edhe se një agjenci varrimesh, ë cilat në bilancin vjetor paraqiten edhe si aktivitete të Akademisë të Shkencave, por të thotë një fjalë si duhet dhe me peshë kur Skënderbeun dhe kujtimin dhe simbolikën e tij e përdhosin në media, jooooo, nuk ulet aty Akademia e Shkencave. Nuk flet në media. Mediat janë për vulgun dijetarët flasin në kafene!

Në Himarë dhe për Himarën ka një debat të madh dhe që lidhet edhe me politika urbanizimi, marredhëniesh etnike, marrëdhëniesh Shqipëri-Greqi, probleme që kanë të bëjnë me të kaluarën e saj shqiptare dhe angazhimin e saj në çështjen kombëtare! Pse lëviz ndonjë sinaps në mendjen e Akademisë të Shkencave për t’a përballuar intelektualisht këtë problem. Jo ore, më mirë botojmë ca fotografi me veshje popullore në ndonjë album. Po kush i bëri fotot? Ndonjë akademik???

I bëjnë konferencë shkencore Dritëro Agollit sa ishte gjallë, i këndojnë “Dritëro!”, por kur Dritëroi vdes dhe si akademik e zhvarrosin simbolikisht dhe ja hedhin kujtimin edhe të letërsisë së tij më të mirë në baltovinat e Bathores, a flet një fjalë Akademia e pershndritshme? Ik ore, tutje, të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët!

Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për hapje dhe integrim gradual me njera tjetrën përballë një sërë problemesh konfliktuale që ftohin marrëdhëniet midis dy pjesëve të kombit. Pse merr mundimin Akademia e Shkencave të motivojë studime sesi mund të ndihmojë shkenca dhe teknologjia, politikat e menduara mirë në përafrimin tonë të madh kombëtar. Cfarë thua, as i shkon ndër mend kujt!

Monumentet kulturore të vendit, tradita monumentale e së kaluarës sonë, sitat arkeologjike, muzetë, monumentet janë në ditë të hallit, pa mbishkrime, pa guida, pa politika marketimi, lënë në mëshirë e lopëve dhe dhive prej njëzet a tridhjet vjetësh, po pse ngre zërin Akademia e Shkencave të thotë ndal! Mos e prek atë “patate të nxehtë” or ti se kush i hyn detit këmbë !

More po si është e mundur që askush nuk citon në këto raste një artikull nga revistat e Akademisë të Shkencave?

Pse për atë punë janë revistat, ato janë për të prishur ca lekë!

Askush nuk erdhi edhe kur u ngrit konsulta për këto revista! Ikën në kafe në vend të vinin në mbledhje!

Papunësia intelektuale midis të diplomuarve po bën kërdinë, rinia po ikën nga atdheu në mërgim, kombi po plaket, lindjet ka dyzet vjetë që po bien në mënyrë drastike. Pse ka zë Akademia e Shkencave të flasi pas një studimi monumental për t’a ngritur në kuje zërin : Po bjerret demografikisht kombi!

Në media muzika popullore shqiptare është zhdukur, teatri shqiptar është shuar, opera duket sikur të ishte një art që ne si komb as i afrohemi, poezia shqiptare, piktura, skulptura nuk dihet si financohet e si mbijeton në studio të varfëra. Pse e ngriti ndonjëherë zërin Akademia e Shkencave për bjerrjen e kulturës shqiptare?

Pse tha ndonjë fjalë zyrtarisht për dialektet e gjuhës dhe marrëdhëniet me gjuhën zyrtare?

Dhe pretendojnë se janë gardianët e kulturës e shpirtit të kombit!!!

Pa fjalë, pa fjalë!

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter