Çavusoglu mbërrin në Shkup, takime me Zaevin dhe Ivanovin
18/06/2017 - 13:07

Shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavusoglu, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup, në kuadër të vizitës së tij zyrtare një ditore në Maqedoni.

Ai do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit me të cilët pritet të diskutojë temat aktuale në rajon dhe më gjerë. Shefi i diplomacisë turke do të takohet me homologun e tij, Nikolla Dimitrov, ku pritet të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njoftojnë se në takim do të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

“Ministrat do të bisedojnë edhe për temat aktuale në rajon dhe më gjerë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në planin ndërkombëtar”, theksojnë nga MPJ-a e Maqedonisë. Në kuadër të vizitës së tij, po ashtu është e paraparë që ai të pritet nga presidenti Gjorge Ivanov dhe nga kryeministri Zoran Zaev.

Sont në mbrëmje, ministrat Çavusoglu dhe Dimitrov do të marrin pjesë në sofrën e iftarit, të organizuar në nder të ministrit turk nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Turqisë (MATTO) dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB). Po ashtu në këtë sofër të iftarit është paralajmëruar prania e presidentit Gjorge Ivanov dhe kryeministrit Zoran Zaev.

/Alsat-m/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Këshilli i Mandateve pa vendim për Tahirin, mblidhet sërish nesër

Close