Deputetja kosovare që “shkatërron” me vota edhe kryetarët e partive
13/06/2017 - 20:16

Në Kosovë, sistemi elektoral është i ndryshëm nga ai i Shqipërisë dhe deputetët zgjidhen me lista të hapura.

Kjo do të thotë se kryetarët e Partive shpesh nuk i shmangin dot kandidatët për deputetë.

Rasti më i veçantë është ai i deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Megjithëse e renditur thuajse në fund të listës (e 81-ta) nga kryetari Isa Mustafa, ajo ka marrë shumë më shumë vota jo vetëm se kandidatët e tjerë në listat paraardhëse, por edhe më shumë vota se kryetari i partisë, teksa ka thelluar rezultatin me zgjedhjet e shkuara. 

Në vitin 2014, Vjosa Osmani ka marrë 40 mijë vota, ndërsa këtë vit, siç informon gazeta Blic, ajo ka marrë rreth 60 mijë vota. Osmani është pjesë e koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Ajo është e dyta më e votuar në listë pas kandidatit për kryeministër Avdullah Hoti, ndërsa kryetari i partisë, Isa Mustafa është më poshtë në listë.

Përballë mbështetjes së tillë ndaj deputetes Osmani, vështirë se ndonjë kryetar partie mund ta linte jashtë listave.

Deputetja ka kundërshtuar publikisht koalicioni midis LDK-së dhe PDK-së së Hashim Thaçit, koalicion që e bëri president këtë të fundit.

Deklaratat e saj çuan në ftohjen e marrëdhënieve me kryetarin e partisë, Mustafa dhe vitet e fundit siç deklaronte ajo për mediat kosovare, nuk kishte pasur komunikim fare.

Në fund, sovrani vendos dhe për deputeten në fjalë ka vendosur bindshëm.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Mediat ndërkombëtare jehonë exit poll-it të Ora News dhe IPR Marketing

Close