Zgjedhjet në Kosovë - Dy festa në sheshet e Prishtinës, këngë e fishekzjarre
12/06/2017 - 8:01

Teksa ishin numëruar rreth 90 për qind e kutive, i nominuari për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka shpallur fitoren në sheshin ‘Skënderbej’, në prani të qindra mbështetësve. Krahas këtyre të fundit, në shesh ishin edhe mbështetës të Vetëvendosjes.

Menjëherë pas rezultateve të para bazuar në mbi 90 për qind të kutive të votimit, kryetari i Aleancës për Ardhërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli i janë bashkuar turmës së mbështetësve të mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë.

Haradinaj, i nominuar për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, pasi falënderoi të gjithë qytetarët që e kanë votuar, në një fjalim të shkurtër shpalli fitoren, duke u shprehur se qeveria në drejtim të tij ka shumë punë përpara.

Pak çaste më herët, ka festuar po në qendër të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti” edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe aty, është thënë se Kosova do ta ketë kryeministrin e ri, dhe ai, sipas Vetëvendosjes do të jetë Albin Kurti.

Ndërkohë Lista Serbe nisi festimet në Mitrovicë të veriut, duke pretenduar që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, ka fituar karshi subjekteve tjera politike serbe.

Në festën e Listës Serbe, përveç përfaqësuesve të këtij subjekti politik, është edhe Marko Gjuriç, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë.

Në bazë të rezultateve të deritanishme, koalicioni që kryeson, i duhet të bëjë koalicion edhe me parti të tjera në mënyrë që të arrijë shumicën e duhur për të krijuar qeverinë.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u thirrën në muajin maj, kur ndaj qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa u dha një mocion mosbesimi për gjendjen e rëndë ekonomike në vend.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Prokuroria: Anëtarë të Këshillit publikuan të dhëna që cënojnë hetimin

Close