Marrëveshje tregtare me Vuçiç - Erdogan: Shpresoj që Ballkani të zgjidhë të gjitha problemet
10/10/2017 - 17:26 Nga: Xhoi Malësia

Ashtu sikurse pritej, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi e cila do të lehtësojë tregtinë mes dy vendeve. Erdogan u shpreh se do të nxisë kompanitë e vendit të tij që të investojnë në Serbi, ndërsa nga ana tjetër, homologu i tij Vuçiç theksoi se palët kanë shumë hapësira për rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare.

Turqia dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të shtuar bashkëpunimin në fushën e tregtisë, ndërsa akordi është firmosur gjatë vizitës së Presidentit Rexhep Taip Erdogan në Beograd.

Lideri i Ankarasë u takua me homologun Aleksandër Vuçiç, ndërsa në prani të stafeve respektive, palët hodhën firmat për një sërë dakordësish që lehtësojnë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

Gjatë konferencës së mbajtur për mediat, Presidenti i Turqisë, Erdogan u shpreh se do të nxisë kompanitë e vendit të tij për të investuar në Serbi.

Ai i shmangu komentet e drejtpërdrejta politike, por nënvizoi se është në interesin e të gjithëve që vendet ballkanike t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e falenderoi Erdogan për mbështetjen në sektorin e ekonomisë.

Kreu i Shtetit serb tha se synimi parësor mes dy vendeve është që vlera e shkëmbimeve tregtare të mbërrijë në nivelin 1 miliardë dollarë.

Vuçiç shtoi se Beogradi është i interesuar për të krijuar një marëdhënie të sinqertë me Ankaranë.

Sipas tij, provë për këtë ishte reagimi i menjëhershëm i qeverisë serbe kundër tentativës së grushtit të shtetit ndaj qeverisë turke.

Palët kanë rënë dakord që dy Presidentët të zhvillojnë takime të paktën një herë në vit, mbledhje që mund të organizohet në Turqi ose Serbi. 

/Oranews.tv/

 

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter