Kosovë - Gaz lotsjellës në Kuvend, dështon sërish seanca gjyqësore ndaj Albin Kurtit
10/10/2017 - 14:42 Nga: Alba Kekezi

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Donika Bujupi kanë munguar sërish në seancën gjyqësore e caktuar për tu zhvilluar sot. Gjyqtari Bedri Kalludra vendosi ta shtyjë seancën për mosparaqitjen e dy të pandehurve në gjykatë, të akuzuar për sulm me gaz lotsjellës në  Kuvendin e Kosovës.

Gjyqtari Kalludra ka thënë se për dy deputetët, gjykata ka lëshuar më herët një urdhër për paraqitjen e tyre me detyrim nga policia e Kosovës, por duket se ky urdhër nuk është zbatuar.

Të pranishëm në seancë kanë qenë të dëmtuarat, deputetet e PDK-së Blerta Deliu dhe Flora Brovina, si dhe dëshmitari Bekim Haxhiu.

Për shkak të mungesës së Kurtit dhe Bujupit, seanca u shty me 22 nëntor dhe  u përsërit sërish urdhëri për paraqitjen e tyre me detyrim në Gjykatë me anë të forcave policore. Sipas mediave vendase, nëse dy të akuzuarit refuzojnë sërish paraqitjen e tyre ne gjykatë, kjo mund të shpjerë dhe në arrestimin e tyre.

Deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për “përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe pengesë të personit zyrtar në krye të detyrës.”

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, janë shkaktuar lëndime të lehta trupore të deputeteve Brovina dhe Deliu nga gazi lotsjellës.

Akuzat ndaj deputetëve të Vetëvendosjes u ngritën në dhjetor të 2016

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento