Operacioni - Greqi, asgjesohen dy nga grupet më të rëndësishme krimale
17/06/2017 - 15:18 Nga: Robert Goro

Policia greke njoftoi asgjesimin e dy prej grupeve më të rëndësishme të trafikut të drogës.

Janë arrestuar gjithsej 19 shtetas grekë dhe 15 shtetas shqiptarë, si dhe disa të kombësive të tjera, kryesisht afrikane, ndërsa janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kanabisi dhe kokaine.

Ndonëse të dy grupet nuk kishin lidhje midis tyre, ato kryesosheshin nga shtetas shqiptarë.

Madje për njerin thuhet se është një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe me influencë në Shqipëri, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet greke.

Krahas 53 vjeçarit shqiptar pranga i kanë kaluar edhe 3 bashkatdhetarëve të tjerë të tij, si dhe një biznesmeni grek, të moshës 61 vjeç, në magazinat e të cilit në zonën e Thesalisë, ishte fshehur kokaina.

Ky grup trafikonte kokainë të prodhuar në Kolumbi, të një cilësie mjaft të lartë, që në Greqi shitej me 100 euro gramin. Kjo dëshmohet nga fakti se pakot me drogë kishin të stampuar përsipër logon e revistës Play boy.

Policia ka sekuestruar 21,5 kg kokainë, një shumë parash prej 92.451 euro, stërlina skoceze dhe angelze, dy pistoleta, një armë gjahu dhe 63 fishekë, dy automjete, 3 peshore precizioni elektronike dhe 12 telefona celularë.

Sipas policisë, grupi kishte përfituar më shumë se 800.000 euro nga aktiviteti i detritanishëm.

Grupi tjetër, krerët e të cilit ishin dy shqiptarë, merrte kanabisi në Shqipëri dhe pastaj e dërgonte me skafe në drejtim të Turqisë. Kanabisi këmbehej me sasi të mëdha heroine, e cila, pasi vinte nga Turqia dërgohej për në brendësi të Europës, në vende si Italia, Franca, etj.

Bashkë me heroinën, skafet transportonin për në Greqi edhe emigrantë klandestinë, duke rritur edhe më shumë fitimet e grupit kriminal.

Nga operacionet për asgjesimin e grupit, që u kryen në Athinë dhe në Spartë, u sekuestruan 316,2 kg kanabis, 166 fidanë kanabisi, një shumë parash prej 25.530 euro, një furgon, 7 autovetura, 2 skafe, 7 peshore precizioni, 70 telefona celularë dhe tablete, si dhe 50 fishekë pistolete.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter