Akordohet - Kësti për Greqinë, 8.5 mld euro për të shmangur një krizë të re borxhesh
16/06/2017 - 9:16 Nga: Xhoi Zajmi

8.5 miliardë euro do t’i akordohen Greqisë nga kësti i paketës së shpëtimit. Ministrat e Eurozonës arritën marrëveshjen për të zhbllokuar shumën që do të ndihmojë Greqinë të shmangë një krizë të re të borxheve. Skema aktuale e financimeve për Athinën përfundon vitin e ardhshëm.

Ministrat e Eurozonës kanë arritur një marrëveshje për të zhbllokuar këstin e rradhës për Greqinë.

Fondi i shpëtimit do t’i sigurojë Athinës 8.5 miliardë euro, shumë që pritet të ndihmojë në shmangien e një krize të re borxhesh në korrik, që është edhe afati për shlyerjen e huasë prej 7 miliardë eurosh.

Pagesa është ende subjekt i miratimeve parlamentare në disa vende.

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se ajo do t’i propozojë bordit të saj ekzekutiv një aprovim në parim.

FMN kërkon qartësi në lehtësimin e borxheve afatgjata të Greqisë pasi skema aktuale e financimeve përfundon vitin e ardhshëm dhe shkon në një shifër prej 86 miliardë eurosh.

Sipas Lagarde, FMN është gati të marrë pjesë në programin e tretë të shpëtimit për Greqinë, pas një takimi me Ministrat e Financës së Eurozonës në Luksemburg.

Ky vendim i Ministrave pasqyron veprimet e politikës ekonomike të ndërmarra nga Greqia dhe angazhimin e ri të drejtoreshës së FMN për të rekomanduar kontributin financiar të bordit të saj në këtë paketë shpëtimi.

Ky kontribut ishte politikisht me rëndësi për Gjermaninë, veçanërisht për të forcuar besueshmërinë e paketës së shpëtimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
AP artikull fitores së PS, i referohet dhe sondazhit IPR Marketing e Ora News

Close