Kosovën e presin zvarritje të tjera për liberalizimin e vizave
13/06/2017 - 19:17

Vonesat eventuale rreth formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, vlerësohet se do ta ngadalësonin procesin e liberalizimit të vizave. Por, nuk përjashtohet as mundësia që procesi të ngecë edhe në Bashkimin Evropian, ku besohet se te disa vende anëtare të BE-së nuk ka shumë vullnet që Kosovës t’i hiqen vizat.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se mungesa e krijimit të Qeverisë së re nënkupton faktin se është e pamundur që të shkohet me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe të bëhen hapa konkret në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, këto janë kriteret që duhet të plotësohen, që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave.

“Ne urojmë që të mos ketë ngërç polik, por rezultatet preliminare që dalin nga zgjedhjet, nuk janë optimiste në raport më atë se mund të kemi një formim të Qeverisë se re në afat shkurtër”, thekson Ujkani.

Besa Shahini, njohëse e integrimeve evropiane, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e konsideron më të komplikuar. Ajo thotë se ky proces ka ngecur në Bashkimin Evropian e jo në Kosovë.

“Teknikisht, për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave, duhet të kalohet Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe duhet të luftohet korrupsioni”, thotë ajo. “Por, edhe nëse ndodhin këto të dyja, procesi zhbllokohet në Parlamentin Evropian, pastaj kalon në Këshill të Ministrave, e unë besoj që do të jetë i bllokuar prapë pasi vendet e BE-së nuk janë të interesuara që në këtë fazë t’i japin mundësi Kosovës për liberalizimin – për shkak të rrezikut për migrim”.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit. Premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga liderët politikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit ishin bërë që nga viti 2010. /REL/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Tornado godet Kinën

Close