Takimi në Luksemburg - Kriza, Greqia rrezikon sërish të përplaset me kreditorët
15/06/2017 - 9:18 Nga: Robert Goro

Takimi i Ministrave të Financave të Eurozonës, që fillon pasdite në Luksemburg, konsiderohet vendimtar në përpjekjet e Greqisë për dalje nga kriza.

Nga rezultati i këtij takimi varet nëse Athina do të përplaset sërish me kreditorët e vet dhe të rikthehet në një perspektivë të zymtë ekonomike.

Edhe konsiderohet e sigurt se Ministrat do të miratojnë disbursimin e këstit të kredisë, është çështja e lehtësimit të borxhit grek, ajo që mund të rikthejë ngërçin dhe rrjedhimisht të stopojë realizimin e reformave të vështira, por të detyrueshme.

Pala greke priste nga takimi i të enjtes që të miratohej një hartë rrugore për lehtësimin e borxhit, si kusht kryesor që vendi të rikthehet në ritme pozitive të zhvillimit ekonomik.

Por Ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble, ka insistuar deri në momentin e fundit, se vendimet për borxhin mund të shqyrtohen vetëm kur të përfundojë programi i tretë i shpëtimit, në mesin e vitit të ardhshëm.

Një burim qeveritar grek komentoi pak orë para nisjes së takimit të Luksemburgut, se “jemi shumë larg nga gjetja e zgjidhjes, përderisa Gjermania nuk ka ndryshuar qëndrim. Po të mos ketë një lëvizje pozitive orët e ardhshme apo gjatë takimit të Eurogrupit, atëherë ‘pataten e nxehtë’ do të detyrohet ta marrë në dorë kancelarja Merkel”.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar që po nuk pati një vendim në takimin e Ministrave të Financave, ai do të kërkojë mbajtjen e një samiti të liderëve të vendeve anëtare të Eurozonës.

Tsipras ka informuar për këtë presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk.

Por analistët thonë se kjo është një lëvizje pa shumë efekt, pasi liderët e Eurozonës do të autorizojnë sërish Ministrat e Financave që të merren me këtë çështje, siç ka ndodhur edhe herë të tjera.

Ky zhvillim do të shkaktojë pezullimin e dhënies së këstit të kredisë, në kohën që ngushtohen afatet për shlyrjen nga Greqia të bondeve që maturohen pas tri javësh.

Paralelisht, do ta fusë Greqinë në vështirësi të reja dhe në një përplasje tjetër me kreditorët, siç ka ndodhur jo pak herë që nga janari 2015, kur zoti Tsipras mori qeverisjen e vendit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close