Kosovë - Kurti: Vetëvendosje është partia më e madhe, i takon formimi i Qeverisë
16/06/2017 - 8:31

“Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t’i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti.

Sipas tij, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma do të dështojnë në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë, kështu që Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë në rastin e dytë.

“T’i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre”, tha në këtë intervistë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju jeni kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dhe ditë më parë u keni bërë ftesë partive të caktuara që të vijnë dhe të bisedojnë për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Megjithatë, ju përfaqësoni subjektin e dytë, të dalë nga zgjedhjet. Si keni menduar të merrni mandatin?

Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje shënoi një rezultat të jashtëzakonshëm dhe kësisoj u shndërruam në partinë e parë politike në vend. Ne jemi partia më e madhe në Kosovë dhe besojmë se kjo shpresë e madhe e qytetarëve, pas kthimit të guximit tek ata që të votojnë për ndryshime që i duam të gjithë, duhet të rezultojë jo vetëm me një Kuvend të ri, por edhe me një Qeveri të re.

Nuk mund të ketë Qeveri të re nga regjimi i vjetër. Prandaj, ne jemi të bindur që i takon Lëvizjes Vetëvendosje që ta formojë Qeverinë e re dhe këtë do ta bëjmë duke u takuar dhe duke biseduar, në radhë të parë me partitë e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, por edhe deputetë individualë, të cilët janë nga koalicioni PAN.

Politika dhe pushteti, kanë shkaktuar shumë ndarje dhe përçarje të popullsisë në Kosovë, prandaj ne jemi të interesuar që pas këtyre zgjedhjeve, t’i shërojmë dhe t’i mbyllim këto plagë të hapura të qytetarëve, të cilat vazhdimisht ngacmohen edhe gjatë fushatës zgjedhore. Dhe, ky bashkim duhet të jetë bashkim për ndryshime, bashkim për të mirën e vendit tonë dhe jemi të bindur se duhet të jetë bartëse dhe prijëse Lëvizja Vetëvendosje.

Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t’i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin. Ne e kuptojmë që duhet të kemi ministra serbë në Qeveri, jo veç se kjo të behët duke pranuar kushtet e Beogradit, përkatësisht Listës Serbe e cila funksionon shumë e më tepër si përfaqësi politike e diplomatike e Beogradit në Kosovë, sesa si parti politike e serbëve të Kosovës. T’i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të rezultateve të deritanishme nga KQZ-ja, koalicioni PAN ka dalë fitues i zgjedhjeve. Në këtë kuadër, kandidati për kryeministër i koalicionit, PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai do ta formojë Qeverinë e re? A do të prisni ju që fillimisht Haradinaj të provojë të marrë mbështetjen në Kuvend dhe pastaj të merrni iniciativën?

Albin Kurti: Ne tashmë e kemi ndërmarrë iniciativën dhe kontaktet, takimet dhe bisedimet do t’i fillojmë sapo të dihet se kush sa ka fituar dhe cilët deputetë saktësisht kanë fituar. Brenda kësaj jave një gjë e tillë do të bëhet e mundshme dhe natyrisht që nuk do të presim që njëherë të dështoj koalicioni PAN dhe më pas ne të fillojmë.

Ne do të fillojmë qysh tash, koalicioni PAN është një koalicion me heterogjenitet partishë, me heterogjenitet edhe brenda partive që e përbëjnë atë. Ta zëmë, brenda PDK-së ka shumë deputetë të cilët janë edhe atdhetarë e kombëtarë, pra e duan edhe bashkimin kombëtar. Ka edhe të atillë që janë social-demokratë e të majtë, por e kemi edhe partinë Nisma e cila është përcaktuar si social-demokrate dhe unë besoj se jo çdo deputet aty do të jetë i gatshëm që ta braktis atë orientim për shkak të një pushteti të premtuar më herët.

PRESIDENTI THAÇI DHE MANDATI I KRYEMINISTRIT

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kontaktet e juaja konkrete të deritashme me subjektet e tjera? E përmendët Nismën, por sidomos me LDK-në, keni kontakte?

Albin Kurti: Para së gjithash këto i shohim si kontakte që tashmë janë vënë dhe janë në funksion të takimeve dhe bisedimeve të cilat do të nisin porsa të dihen emrat e deputetëve të ardhëm të Kuvendit të Republikës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kontakte keni?

Albin Kurti: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur kontakte edhe me LDK-në, unë kam pasur edhe me AKR-në dhe posa të marrim vesh se cilët deputetë do të jenë në Kuvendin e ardhshëm, në legjislaturën e gjashtë, ne do t’i fillojmë takimet dhe bisedimet për Qeverinë e re.

Nuk ka Qeveri të re me regjim të vjetër dhe unë besoj se edhe AAK dhe Nisma duhet ta kuptojnë këtë gjë, por qe besa edhe deputetët e PDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Por, çka në qoftë se PAN e formon Qeverinë?

Albin Kurti: Ata nuk do të mund ta formojnë Qeverinë për shkak se nuk i kanë numrat dhe së dyti, nëse duan ta formojnë Qeverinë bashkë me Listën Serbe paraprakisht me Vuçiqin, atëherë kjo do ta fus Kosovën në një krizë të jashtëzakonshme politike, e të paparë në Kosovën e pasluftës.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e formon subjekti, koalicioni apo partia fituese e zgjedhjeve. Ju si Vetëvendosje dolët e dyta nga zgjedhjet 2017. Do t’i kërkoni mandatin për formimin e Qeverisë, presidentit Hashim Thaçi?

Albin Kurti: Teknikisht ai do t’ia ofrojë këtë gjë koalicionit PAN dhe është i detyruar, është i obliguar që këtë të na e bëjë neve, porsa të dështojë formimi i Qeverisë nga ana e koalicionit PAN, që duket shumë e gjasshme tashmë. Në anën tjetër, ne do të mbledhim nënshkrimet, pasi që t’i fillojmë takimet duke dëshmuar se shumica parlamentare e cila duhet ta formojë Qeverinë e re ndodhet jashtë udhëheqjes së PAN-it.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju do të kërkoni nga Presidenti që t’ju jepet ju mandati?

Albin Kurti: Ai e ka obligim një gjë të tillë.

TAKIM EDHE ME AMBASADORIN DELAWIE

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju tashmë keni zhvilluar takime me ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituar në Kosovë. Keni takuar edhe ambasadorin amerikan, Greg Delawie, për çka keni diskutuar konkretisht?

Albin Kurti: Ne kemi zhvilluar takime më të gjithë ambasadorët e Kuintit, pra me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delawie, kemi zhvilluar takime më ambasadorët e Francës, Italisë, Britanisë se Madhe, të Gjermanisë, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Apostolova, kemi zhvilluar gjithashtu takim edhe më ambasadorin e Republikës se Shqipërisë, zotin Minxhozi.

Dje patëm një takim me ambasadorin amerikan në të cilin ne kemi shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për kontributin dhe rolin e SHBA-ve, jo vetëm për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e pavarësisë se Kosovës, por edhe për çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s do të ishte e pamundur në vitin 1999 kundër Jugosllavisë, Serbisë së Millosheviqit, sikurse të mos ishte roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë, në luftë dhe paqe. Dhe nga ky takim që u zhvillua në një atmosferë shumë të mirë, ishte e qartë se pajtohemi sa i përket vlerave dhe sa i përket interesave.

Ne insistojmë në sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, në zhvillimin ekonomik, pra në rritjen ekonomike që sjell punësim dhe në politikat sociale, ato që zvogëlojnë pabarazinë. Dhe kishte një pajtueshmëri që t’i vazhdojmë takimet edhe më tutje.

Kritikat, ndonjë mospajtim, unë besoj që gjithnjë e më shumë po zgjidhen me dialog i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe në anën tjetër ka edhe gjëra nga e kaluara të cilat i takojnë së kaluarës, pra, periudhës para 11 qershorit, datë kjo e cila nuk shënon vetëm një kapitull të ri në shtetin tonë, por qe besa edhe një epokë të re për popullin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Sa i takon çështjes së formimit të Qeverisë, cili është mesazhi sipas jush i ambasadorit Delawie?

Albin Kurti: Qëndrimi i ambasadorit Delawie ishte shumë i qartë se ata do të bashkëpunojnë me çdo Qeveri e cila arrin ta ketë numrin prej së paku 61 deputetëve, siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, dhe ishim dakord që gjithçka duhet të shkoj sipas vullnetit të qytetareve duke respektuar procedurat demokratike. /REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close