Kriza - Luksemburg, arrihet marrëveshja ndërmjet Greqisë dhe kreditorëve
16/06/2017 - 8:51 Nga: Robert Goro

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë miratuar çlirimin e këstit të kredisë për Greqinë, çka eviton shqetësimet për një krizë të re në raportet e Athinës me kreditorët.

Madje Greqia ka përfituar rreth 1 miliardë euro më tepër nga ç’parashikonte marrëveshja, dhe kjo ka shkaktuar një ndjenjë kënaqësie në Athinë.

“Sot Greqia po ndryshon faqe. Kemi një marrëveshje që u përgjigjet sakrificave të popullit grek”, komentoi kryeministri Tsipras.

Arritja e marrëveshjes për gjithë elementët u njoftua një përfundim të takimit nga Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Ministrat vendosën disbursimin e një kësti prej 8,5 miliardë eurosh, nga kredia me vlerë të përgjithshme 86 miliardë që i është akorduar Greqisë që prej dy vjetësh.

Pjesë më e madhe e këtij kësti do të përdoret për shlyerje të kredive më të hershme, ndërsa rreth një miliardë për detyrime të shtetit ndaj sektorit privat vendas.

Por më e rëndësishmja, lidhet me borxhin grek, që përbënte dhe pritshmërinë kryesore të Athinës.

Dijsselbloem deklaroi gatishmërinë e Eurogupit që, nëse është e nevojshme, të zgjasë maturimin e bondeve greke për një afat nga 0 deri në 15 vjet. Gjithashtu, lehtësirat për borxhin do të ndërlidhen edhe me performancën e ekonomisë greke.

Por Dijsselbloem theksoi se është e nevojshme që financat publike të Greqisë të mbeten në një kurs të qëndrueshëm.

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë përshëndetur miratimin e masave të reja nga parlamenti grek, muajin e kaluar, ndërsa janë angazhuar që të vazhdojnë mbështetjen ndaj Greqisë edhe pas përfundimit të programit të shpëtimit, vitin e ardhshëm.

“Eurogrupi ka rënë dakord se disbursimet e ardhshme do të duhet të përfshijnë jo vetëm shlyerjen e detyrimeve, por edhe forcimin e besimit të investitorëve dhe mbëlshtetjen e Greqisë për të patur akses në trregjet financiare”, thuhet në deklaratën e  miratuar mbrëmjen e të enjtes.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter