Pacolli: Serbia mund të bëhet faktor i paqes në rajon
13/10/2017 - 15:32

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Ballkani ka nevojë për stabilitet, dhe se Serbia mund të luajë një rol konstruktiv në këtë dhe të bëhet faktor i paqes, por gjithashtu duhet të “përballet me realitetin”.

Ai në një intervistë për Blicin serb i pyetur se çfarë do të ishte zgjidhja e tij për Kosovën në mënyrë që të dyja palët do të ishin të kënaqura, “duke qenë se Kosova për Serbinë është pjesë e territorit të saj, ndërsa për shqiptarët shtet” tha se do të ishte respekt dhe bashkëpunim i ndërsjellë, “duke pranuar realitetin se ka dy shtete që kanë nevojë për të ndërtuar një të ardhme për qytetarët e tyre “, transmeton Klan Kosova.

Sipas Blicit, kërkesa për  intervistë Pacollit iu dërgua në gjuhën angleze, ndërsa ai përgjigjet i ka dhënë serbisht dhe atë në alfabetin cirilik.

Ai thotë se serbët janë njerëz të mirë, por ata që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të sillen para drejtësisë.

I pyetur se kur do të formohet Asociacioni i Komunave serb, kryediplomati kosovar ka thënë se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe “në përputhje me kushtetutën”.

Hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovën, të iniciuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka vlerësuar si hap të guximshëm.

“Mendoj se Serbia nuk guxon të mbetet peng i të kaluarës, ajo duhet të përballet me realitetin e fakteve e të ligjeve. Sot Kosova është shtet ndërkombëtarisht i njohur nga shumica e vendeve demokratike të botës”, ka thënë ai.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter