Vizitë tre ditore - Erdogan në Beograd me 200 biznesmenë
09/10/2017 - 8:42 Nga: Xhoi Malësia

Me afro 200 biznesmenë që e shoqërojnë, Presidenti Rexhep Taip Erdogan, do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Serbi, ku do të diskutojë kryesisht për çështjet ekonomike me homologun, Alexandër Vucic. Zyrtarët e të dyja palëve kanë konfirmuar se do të synohet firmosja e një marrëveshjeje për tregti të lirë. Gjatë qëndrimit të Erdogan pritet të mbahet edhe një forum biznesi.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të nisë një vizitë tre-ditore në Beograd ku tema kryesore e bisedimeve të tij me homologun, Aleksandër Vuçiç, do të jenë marëdhëniet tregtare dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik.

Burime zyrtare kanë njoftuar se liderin e Ankarasë e shoqërojnë afro 200 biznesmenë, ministra dhe deputetë.

Palët pritet të negociojnë një marrëveshje për tregti të lirë, ndërsa ekspertë nga të dyja palët nënvizojnë se pritshmëritë e arritjes së akordit janë mjaft të larta.

Në një deklaratë të bërë më herët, Vuçiç u shpreh se në vitin 2016, vlera e shkëmbimeve tregtare mes Serbisë dhe Turqisë arriti në 800 milionë dollarë, ndërsa synimi është që kjo shifër në vitet pasardhëse të arrijnë në 1 miliardë dollarë.

Gjatë qëndrimit të Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, në Beograd pritet të zhvillohet edhe forumi ekonomik i Turqisë me Serbinë.

Në këtë event, biznesmenët e interesuar do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi fushat e bashkëpunimit si dhe do të shqyrtohen hapsirat e investimeve.

Erdogan do të inspektojë gjtiahshtu rinovimin e Xhamisë Barjakli në Beograd si dhe një sërë objektesh të tjera të ndërtuara në periudhën osmane dhe që janë restauruar me fonde të agjensisë turke të zhvillimit.

Presidenti do t’a bëjë ndalesën e fundit në Pazarin e Ri, qytetin që ndodhet në jug të Serbisë, ku shumica e popullsisë i përket besimit mysliman.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter