Kush do ta formojë qeverinë?! - Sfida e Ramush Haradinaj për të formuar qeverinë pa djegur mandatin
13/06/2017 - 10:07 Nga: Xhoi Malësia

Edhe pse ka kaluar një ditë nga shpallja e rezultateve për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, situata vijon të mbetet shumë e paqartë për shkak se asnjë nga subjektet garuese nuk mori mbi 50% të votave, çka do t’i jepte mundësinë për të formuar qeverinë e vetme.

Në këto kushte, bashkëpunimi pas-zgjedhor është e vetmja mundësi për të ndërtuar një kabinet qeverisës.

Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet t’i besojë fillimisht mandatin subjektit fitues, i cili në këtë rast është koalicioni mes PDK-AAK-NISMA.

Përgjatë një periudhe kohore 30-ditore që nga dhënia e mandatit ky grupim politik duhet të nisë negociatat me dy subjektet e tjera, që janë ose Lëvizja Vetëvendosje, ose koalicioni mes LDK dhe AKR.

Megjithatë, gjatë orëve që kemi lënë pas eksponentë të ndryshëm të këtyre forcave politike kanë krijuar një panoramë të mundshme të mënyrës se si do të veprojnë.

Nga njëra anë, LDK e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me koalicionin PAN, duke shprehur zhgënjim nga mocioni i mosbesimit që u mbështet edhe nga PDK.

Ndërkohë, Lëvizja Vetvendosje nuk e ka mohuar ambicien për të patur, Albin Kurtin në postin e Kryeminsitrit, teksa diçka e tillë u konfirmua nga lideri i kësaj force politike, Visar Ymeri, në një lidhje me Skype për Ora News.

Kjo dëshirë mund t’a komplikojë shumë situatën në negociatat mes palëve, duke parë se për PAN, vendosja e Haradinajt në krye të ekzekutivit duket një pikë e padiskutueshme.
Në rast se nuk do të mund të gjejë gjuhën e përbashkët me dy subjektet e tjera të mëdha, PAN mund të humbasë mandatin, i cili rrjedhimisht mund të kalojë tek Lëvizja Vetvendosje, si forca e dytë më e madhe e dalë nga zgjedhjet, duke llogaritur koalicionet.

Në qarqet e VV-së është artikuluar qartë që nuk mungon dëshira për t’a patur mandatin.

Diçka e tillë është konfirmuar nga anetari i kryesisë, Rexhep Selimi, i cili u shpreh se nëse PAN nuk e formon dot kabinetin, duhet t’i lërë mundësi partive të tjera për të provuar.

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
AP artikull fitores së PS, i referohet dhe sondazhit IPR Marketing e Ora News

Close