Kolaps - Shembet miniera në Greqi, evakuohet një fshat i tërë
11/06/2017 - 22:24

Dhjetëra fshatarë në Greqinë veriperëndimore janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi një minierë qymyri (linjiti) aty pranë u shemb.

182 banorët e  fshatit Anargyroi janë strehuar në hotele, pasi u larguan nga shtëpitë e tyre, disa prej të cilave tashmë po shemben përtokë, tha një zyrtar i fshatit për The Associated Press.

“Disa shtëpi janë ndarë në gjysmë”, tha Giorgos Pinopoulos, nënkryetari i fshatit.

Qeveria kishte paralajmëruar gjashtë vjet më parë se miniera përbënte një kërcënim dhe fshati duhet të zhvendosej.

Ajo kishte miratuar legjislacionin që do të lejonte fshatin të zhvendosej në një tokë të shpronësuar dhe koston e zhvendosjes do ta mbulonte gjysmën shteti grek dhe gjysmën kompania shtetërore e energjisë elektrike PPC, e cila zhvillon aktivitetin në minierë.

Por asgjë nuk u b për të zbatuar legjislacionin pasi shteti pretendonte se nuk kishte fonde për shkak të krizës financiare që goditi Greqinë në vitin 2008 dhe që ka rezultuar me shkurtime të mëdha buxhetore.

Më në fund, pasi fshatarët u detyruan të evakuohen natën e së shtunës, ministri i Mjedisit dhe Energjisë George Stathakis njoftoi të dielën, pasi u takua me menaxherët e PPC-së, se shpronësimi i tokës së nevojshme për të zhvendosur fshatin do të vazhdonte menjëherë, përmes një dekreti legjislativ.

“Në qoftë se implementohet ajo çfarë tha Ministri, ne jemi të kënaqur,” tha Costas Theodoridis, kryetar i bashkisë së qytetit Amyntaio, ku ndodhet miniera.

PPC tha të shtunën se miniera ishte në veprim deri më 3 qershor, kur u mbyll për arsye sigurie. Kompania shtoi se kolapsi filloi të shtunën në mëngjes dhe ishte shumë herë më i madh se sa pritej, me rreth 80 milionë metra kub të tokë që ishin zhvendosur.

Linjiti mbetet një burim i madh i energjisë elektrike në Greqi, pavarësisht se është një lëndë shumë ndotëse.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Tornado godet Kinën

Close