Zgjedhjet - Vendoret në Kosovë, komunat e mëdha në balotazh
23/10/2017 - 7:56

Në Kosovë po vazhdon numërimi i votave të zgjedhjeve të së dielës për pushtetin komunal.Koalicioni i organizatave jo qeveritare, Demokracia në Veprim, e cila vëzhgoi zgjedhjet e së dielës publikoi rezultatet e saja paraprake, sipas të cilave njëzet komuna tashmë kanë zgjedhur kryetarët e tyre ndërsa 18 komuna pritet të shkojnë në raundin e dytë të votimeve që pritet të mbahet më 19 nëntor.Zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kanë qenë të vlefshme edhe për zgjedhjen e deputetëve të kuvendeve komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para preliminare. Në bazë të këtyre rezultateve, të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, kuptohet se në shumicën e komunave më të mëdha, kandidatët për kryetarë të komunave do të shkojnë në balotazh.

Sipas KQZ-së në balotazh shkojnë:

Në Prishtinë: Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në Prizren: Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Mytaher Haskukanga Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Gjilan: Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Ferizaj: Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Muharrem Sfarqa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në Mitrovicën jugore: Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re.

Në Gjakovë: Mimoza Kusari Lila nga Alternativa dhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Pejë, pritet që Gazmend Muhaxhiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës të konfirmohet si fitues pa balotazh, por mbetet të pritet rezultati përfundimtar.

Për shkak të problemeve teknike, faqja zyrtare e KQZ-së ka qenë jashtë funksionit për më gjatë se tri orë dhe është funksionalizuar para mesnatës.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter