Thellohet skandali “Weinstein” - Aktorja Rose McGowan akuzon producentin për përdhunim
13/10/2017 - 12:54 Nga: Xhoi Zajmi

Skandalit të producentit Harvi Uajnstin i është shtuar edhe akuza nga aktorja amerikane Roz MekGauen, e cila publikisht pranoi se ishte përdhunuar nga producenti. Edhe pse Uajnstin ka mohuar çdo akuze ndaj tij, policia amerikane dhe ajo britanike kanë hapur hetime lidhur me denoncime të mëhershme kundër producentit.

Skandali që ka përfshirë producentin Harvey Weinstein është thelluar pasi aktorja amerikane Rose McGowan e akuzoi publikisht për përdhunim. Në një seri postimesh në Twitter, aktorja gjithashtu akuzoi shefin e Amazon Studio Roy Price se e kishte injoruar kur ajo i kishte rrëfyer këtë pretendim. Weinstein ka mohuar çdo pretendim për ngacmim seksual ndërkohë që ende nuk ka një koment nga Price.

Forcat e policisë në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë hapur hetime për pretendimet për sulme seksuale kundër Weinstein, teksa janë zbuluar dy denoncime në emër të producentit, që datojnë në vitet ’80 dhe 2004.

Një seri akuzash për sjellje jo të hijshme, ngacmim dhe përdhunim rëndojnë mbi producentin e njohur të Hollywood-it. Akuzat vijnë nga emra të njohur të industrisë kinematografike si Gwyneth Paltrow, Angelina Jolie, Cara Delevingne, Rosanna Arquette, Mira Sorvino etj. Weinstein ka këmbëngulur përmes zëdhënëses së tij se çdo kontakt seksual që ai ka patur me aktoret në fjalë ka qenë konsensual.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter