Trazira tek Samsung, shefi ekzekutiv jep dorëheqjen
13/10/2017 - 12:39

Gjigandi elektronik Samsung po përballet me një tjetër krizë menaxheriale, teksa shefi ekzekutiv i kompanisë ka dhënë dorëheqjen. Por pavarësisht lëvizjeve në bordin drejtues dhe skandalit korruptiv të trashëgimtarit të Samsung, kompania publikoi parashikime pozitive për fitimet gjatë tremujorit të fundit.

Shefi ekzekutiv i Samsung, Kwon Oh-hyun ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij duke cituar krizën që kompania po kalon si shkak. Dorëheqja e tij vjen në të njëjtën ditë që Samsung Electronics publikoi parashikime për fitimet rekord të kompanisë në tremujorin e kaluar.

Zoti Kwon deklaroi se e kishte konsideruar dorëheqjen prej disa kohësh, teksa tashmë rradha për menaxhimin e kompanisë duhet t’i kalojë brezit të ri që mund t’i përgjigjet më mirë sfidave që vijnë nga industria gjithnjë e në ndryshim të teknologjisë. Sidoqoftë, Kwon do të mbetet pjesë e bordit të kompanisë deri marsin e vitit të ardhshëm.

Lajmi për dorëheqjen e shefit ekzekutiv është më i fundit në krizën menaxheriale që ka kapluar gjigandin koreano-jugor të elektronikës. Në gusht, trashëgimtari i Samsung, Lee Jae-yong u burgos për korrupsion.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter