Ju flet Moska - Myftaraj: Deri ku shkojnë përgjimet “bomba” italiane?
20/10/2017 - 20:41

“Deri ku shkojnë përgjimet “bomba” italiane?” Kjo ishte tema e emisionit të mbrëmjes së sotme “Ju flet Moska” nga Kastriot Myftaraj.

Myftaraj tha se dosja me përgjimet për Tahirin, është vetëm një pikë uji në detin Adriatik nga gjithë përgjimet që kanë bërë italianët për krimin e organizuar shqiptar dhe për lidhjen me politikën.

Ai i bëri thirrje Ambasadës italiane të publikojë përmes medias shqiptare të gjithë përgjimet që disponojnë autoritetet italiane, pasi siç tha ai ka ardhur koha që të dalë fytyra e vërtetë e atyre që na qeverisin.

“Diferencim, kush është me mafian dhe kush është kundër mafias” tha Myftaraj.

Myftaraj: Dosja me përgjimet e drejtësisë italiane për një grup mafioz shqiptar ku është përfshirë dhe ish-Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, është vetëm një pikë uji në detin Adriatik nga gjithë përgjimet që kanë bërë italianët për krimin e organizuar shqiptar dhe për lidhjen me politikën, përgjime ku përfshihen politikanë shqiptarë të lartë, Ministra deri edhe në nivelin më të lartë të qeverisë. Qëndrimi që po mbahet ndaj Tahirit bën diferencimin midis lobit të madh të mafias në këtë vend dhe atyre që janë kundër mafias.Është një histori që ka ndodhur në Italinë e viteve ’80, ka ndodhur në Kolumbi, Panama në vitet ’80 gjithashtu. Është një histori që erdhi koha të ndodhë gjithashtu dhe në Shqipëri. Shumë nga këto përgjime që i ka shteti italian, zyrat e posaçme të shtetit italian mund të përdoren si prova në kuptimin juridik për arsye se personat të cilët janë të përfshirë në këto përgjime jo vetëm nëpërmjet fjalëve të tjerëve por edhe drejtëpërdrejtë me përgjime mjedisore apo ambjentale janë persona me imunitet për të cilët nuk është marrë leje për përgjim, janë kryer përgjimet nga shërbimet e fshehta të vendit fqinj në mënyrë private.

Pra nga punonjës shtetërorë por që ishin të kamufluar si persona privatë. Janë kryer në shumë mënyra përgjimet.Përgjimet tregojnë të vërtetën e politikës shqiptare, të vërtetën e atyre që qeverisin këtë vend. Këto përgjime kanë një vlerë të madhe.Unë do ti bëja thirrje autoriteteve italiane, zyrave të posaçme të shtetit italian që kanë kryer këto përgjime që të përdorin si partner të drejtëpëdrejtë atë pjesë të medias shqiptare e cila nuk po lobon për mafian këto ditë. T’ia japin këto përgjime medias shqiptare dhe të publikohen ashtu siç u publikuan në Kosovë, Maqedoni. Në Kosovë janë publikuar përgjime të kryera nga shërbimet e huaja deri edhe për kryeministrin dhe presidentin Thaçi ku shikoni një bisedë mes Hashim Thaçit dhe personit më të rëndësishëm pas tij në parti, Adem Grabovcit. Është si të themi Gramoz Ruçi në PS.

I bëj thirrje Ambasadës italiane që këto përgjime t’ia japë medias dhe të bëhen publike.Këto ditë në Shqipëri njerëzit që duan që ky vend të çlirohet nga mafia presin që Italia më në fund të luajë në Shqipëri rolin që SHBA luajtën në Kolumbi dhe sidomos në Panama. Italia është vendi që së bashku me Austro-Hungarinë kontribuoi më shumë në krijimin e shtetit shqiptar në konferencën e Londrës në 1912-1913.Italia është dhe vendi që kur vetë vuajti fashizmin e ka pushtuar Shqipërinë në 1939 por është dhe vendi që ndihmoi shumë Shqipërinë postkomuniste deri në krizën humanitare të urisë të vitit 1991, ku Italia me operacionin ‘Pelikan’ shpëtoi 1 milionë shqiptarë nga vdekja, për të cilën duhet ti jemi mirënjohës. Italia është vendi që në 1997 më së shumti kontribuoi për shpëtimin dhe kapërcimin e krizës me gjithë ndonjë incident që pati si ai i anijes. Italia sot për interesat e veta për shkak se po vuan pasoja shumë të rënda nga mafia shqiptare e drogës është e detyruar për interesat e veta por edhe rolin historik që ka pasur ndaj Shqipërisë që të luajë në Shqipëri rolin që SHBA luajti në vendet e Panamasë që e shpëtuan nga diktatura e narkotrafikantëve.

Italia do ketë dhe mbështetjen e SHBA në këtë rol.I bëj thirrje Ambasadorit italian që tu drejtohet me një apel shqiptarëve në këtë rol: Ngrihuni kundër mafies së narkotrafikut e cila këto ditë po tregon se ka në kontroll shtetin. Sot kryeministër i Shqipërisë është Saimir Tahiri, sot qeveria dhe shumica parlamentare kanë frikë nga Saimir Tahiri se mos pendohet dhe ishte të gjithë. Saimir Tahiri ka bërë kërcënime të drejtëpërdrejta.Tha: Unë kam frikë vetëm nëse më tradhton e vërteta ime. Kjo domethënë se ka rënë në dakord me Ramën, Ruçin, Xhafaj i cili po del dhe në cilësinë e Ministrit të Brendshëm po zhvlerëson provat e sjella nga drejtësia e një shteti tjetër, që po ti shikosh me logjikën e jurispudencës të Noriegës dhe Eskobarit nuk janë prova. Po ti shikosh me logjikën me të cilën SHBA luftoi mafian kolumbiane dhe panameze me pushtet të Noriegës këto janë prova. Duhet që shteti italian të luajë rolin historik që ka pasur, nëse kontribuoi për krijimin e këtij shteti duhet të kontribuojë për çlirimin e këtij shteti nga mafia sepse është dhe në interesin e Italisë. Sot jemi në situatën ku çështja e Saimir Tahirit kërkon të sfumohet me disa akuza jo adekuate.

Italia duhet të ndikojë fort dhe në NATO dhe pranë SHBA që të shikohet kjo çështje si tregues për ekzistencën e një organizate kriminale e cila sipas nenit 28 të kodit penal është forma më e lartë e bashkëpunimit kriminal, është një organizatë kriminale në të cilën janë qeveritarët, mafiozët e rëndomtë.Kjo organizatë kriminale është zbuluar përmes përgjimeve. Mund të fshihet pas gishtit dhe të thonë janë apo nuk janë këto përgjime prova. Çfarë kuptojnë me prova këta? Ndonjë marrëveshje noteriale midis mafiozëve dhe qeveritarëve, Saimir Tahirit dhe të tjerëve? Sot është koha që secili të zbulojë fytyrën e vërtetë, kush është në lobin e mafias dhe kush është kundër mafias.Përsërit thirrjen për Ambasadorin italian: Të dalë publikisht dhe tu kërkojë shqiptarëve diferencim kush është me mafian dhe kush është kundër mafias.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter