Pritet nisja e negociatave - Arsimi parauniversitar, 30 mijë mësues pa kontratë kolektive
19/06/2017 - 16:06 Nga: Jonida Tashi

Mbi 30 mijë mësues që japin mësim në shkollat e arsimit parauniversitar, që prej datës 31 maj janë pa kontratë koletive pune. Sindikata e Pavarur e Arsimit bën të ditur se i është drejtuar që më 16 mars Ministrisë së Arsimit për këtë çështje, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Tashmë sindikalistët kanë nisur takimet me Ministren e re të Arsimit, Mirela Karabina, e cila ka premtuar nisjen e negociatave për nënshkrimin e kontratës së re kolektive të punës në arsim.

Sindikatat kërkojnë që Ministria e Arsimit të nisë proçesin e nënshkrimit të kontratës së re kolektive për më shumë se 30 mijë arsimtarë, dokumenti themelor që mbron marrëdhënien e tyre të punës. 

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevrus Kaptelli, thotë se për t’i paraprirë përfundimit të afatit të kontratës më 31 maj, sindikalistët i janë drejtuar që në datën 16 mars ish-Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, për nënshkrimin e kontratës së re.

Kaptelli: Kontrata kolektive që ishte në fuqi deri më 31 maj ka përfunduar afatin e saj dhe të dyja Sindikatat e Arsimit i janë drejtuar që në 16 mars ish-Ministres Nikolla me një kërkesë zyrtare për fillimin e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës së re kolektive. Nuk arritëm të merrnim asnjë përgjigje zyrtare. Kontrata kolektive e punës mbron të gjithë mësuesit që janë në sistemin parauniversitar, janë më shumë se 30 mijë mësues që përfitojnë direkt nga kontrata.

Pas dështimit të këtij proçesi me ish-Ministren Nikolla, sindikalistët i janë drejtuar sërish Ministrisë së Arsimit, që tashmë drejtohet nga teknikja Mirela Karabina, e cila ka premtuar zgjidhje.

Kaptelli: Me ardhjen e Ministres së re ne iu drejtuam përsëri me një shkresë tjetër Ministres Karabina. Na u premtua nga stafi i ri që ne do të zbatojmë të gjitha proçedurat ligjore.

Lidhur me ndryshimet në kontratën e re, Kaptelli thotë se janë mbledhur disa propozime për përmirësimin e kushteve të punës të mësuesve që pritet të diskutohen.

Kaptelli: Ndryshime do të ketë sepse koha ecën përpara dhe kërkesat për kushte më të mira pune vijnë gjithnjë vijnë duke u shtuar. Jemi gati të dyja Sindikatat që të ulemi në tavolinën e bisedimeve me grupin e punës që do të caktojë Ministrja e re për të negociuar. 

Edhe në nënshkrimin e kontratës së fundit kolektive, proçedurat u zvarritën disa muaj, ndërkohë që ndryshe nga afati i zakonshëm me 4 vite, ajo u la 2-vjeçare.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Protest in Spaç, former persecuted and democratic youth forum against Ruçi

Close