Denoncimi i BOOM - Banori postobllok në rrugë me stallë bagëtish, izolon fshatin Topojan
12/10/2017 - 19:33

Emisioni BOOM në RTV Ora News solli mbrëmjen  e sotme shqetësimin e banorëve të fshatit Topojan, të cilët që nga viti 2011 trokasin ne dyert e  institucioneve shtetërore  për  një problem i cili  ende nuk ka marrë zgjidhje.

Bëhet fjalë për një rrugë  kalimi  e  cila  është  bllokuar  nga një bashkëfshatar, pasi ky i fundit ka ndërtuar një stallë. Bllokimi i rrugës bën të pamundur kalimin e  automjeteve në pjesën tjetër të fshatit.  

Rruga e vetme që mbetet është një shteg i ngushtë tek i cili  mund të kalohet në këmbë ose me kafshë. Shumë banorë që duan të rindërtojnë shtëpitë ose të investojnë në fshat e kanë të pamundur pasi makinat me materiale ndërtimi nuk mund të kalojnë.  

Të ndodhur para një situate të tillë, zgjidhjen  e kanë parë në institucionet përgjegjëse, por  moszbatimi i vendimeve e ka lënë këtë situatë ende pa zgjidhje.

Banori: Këtu kemi një postobllok, rruga është zënë dhe nuk kalojme dot sepse është bërë një stan. Kemi folur me ato që e kanë zënë rrugën por na kanë qëlluar me sëpata.Makinat nuk kalojnë dot, duhet që materialet e ndërtimit të shtëpive ti dërgojmë me kafshë, na shkon 2-fishi shpenzimeve. Këtu është bërë si parking, ndalojnë të gjitha makinat se nuk ngjiten dot lart, dhe kryetari i bashkisë së Këlcyrës na mbyll derën kur i ankohemi.

Banoret e fshatit Topojan

Rruga e bllokuar me stallen e bagetive

Çfarë kanë thënë institucionet ndër vite për çështjen në fjalë

Sikur të mos mjaftojë fakti që fshati Topojan nuk ka asnjë metër rrugë të asfaltuar, bllokimi i rrugës së kalimit vë në rrezik jetën e banorëve.

Në rast sëmundje, ambulanca  nuk ngjitet dot lart dhe për më tepër kushdo që ka probleme shëndetësore duhet të zbresë me gomar ose në barrelë.Për bllokimin e rrugës banorët i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse ndër vite.

Në vitin 2011, këshilli i komunës Sukë ka vendosur që të lirohet rruga e zënë padrejtësisht nga Z. Fejzi Tartari.

Në prill të 2015, Këshilli i Komunës Sukë  mblidhet  përsëri  dhe urdhëron Bashkinë Këlcyrë për të ndërhyrë për hapjen e rrugës.

Prokuroria e Përmetit në tetor  të vitit 2016 e cilëson të ‘paligjshëm’ zënien e rrugës dhe urdhëron Bashkinë  të marrq masa.

Duke u nisur nga fakti që Bashkia e Këlcyrës nuk mori asnjë masë, në janar të vitit 2017 Prefekti i qarkut të Gjirokastres Flamur Bime i kërkon kësaj Bashkie  të ushtrojë kompetencat që jep ligji për ‘Vetëqeverisjen Vendore’  për ta rikthyer  rrugën e fshatit Topojan në gjendje funksionale.

Gjykata jep vendim absurd, ja vendimi

Të ndodhur  përballë  moszbatimit të vendimeve  nga ana e Bashkisë Këlcyrë, kjo çështje shkon në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës e cila e rrëzon kërkesë padinë me një arsyetim absurd.

 “Gjykata nisur nga  fakti që paditësat nuk janë banorë të fshatit Topojan të Bashkisë Këlcyrë, si dhe nga fakti që nga ana e tyre  për më shumë se 10 vjet nuk është përdorur kjo rrugë kalimi çmon se edhe nëse do të kishte  ekzistuar servituti i kalimit në pronat e personit të tretë, apo në prone në  bashkëpronësi me paditësat, ai është  shuar , dhe për këtë shkak paditësave  u ka humbur e drejta  për të përdorur servitutin e kalimit”.

Rrjeshimisht lind pyetja: Si mundet një gjyqtar t’i mohojë të drejtën qindra banorëve të rikthehen në shtëpitë e tyre në fshat me pretendimin se meqenëse kjo rrugë nuk është përdorur si rrugë kalimi për 10 vjet, këtyre banorëve u humbet e drejta e përdorimit? 

Pse gjyqtari Ramiz Lala nuk merr parasysh  hetimet e prokurorisë  e cila shprehet qartë se prona e zotit Fejzi Tartari  ka mbivendosje me rrugën  publike  dhe  e zaptuar në masën 30 metra katrorë. Pse ky gjyqtar nuk ka marrë parasysh as 2 vendimet  për lirimin e rrugës që janë marrë nga ish-komuna Sukë?

Banorët nuk rindërtojnë dot shtëpitë, u kanë mbetur gërmadha

Pas viteve ‘90 edhe fshati  Topojan u braktis ashtu si shumë fshatra  në vendin tonë. Pas shume vitesh, banorët kanë dëshirë për tu rikthyer në vendlindje disa për të investuar, disa për të ringritur shtëpitë e braktisura. Por  bllokimi i rrugës e bë të pamundur investimin në këtë fshat, pasi aty nuk mund të kalojë as makina, as traktori.

Një djalë që ka qenë emigrant thotë se do të rindërtojë  shtëpinë  e prindërve por  bllokimi i rrugës është  problem.

“Kjo është shtëpia ime, unë dua ta ndërtoj por nga pamundësia që është bllokuar rruga nuk kemi se çfarë të bëjmë. Vjen baza materiale deri aty ku është bllokuar rruga dhe nga atje deri këtu duhet ta mbash me kafshë”.

Ndërkohë çifti Mamaj pasi kanë jetuar 17 vite në Tiranë janë rikthyer në Topojan prej 5 vitesh.

Shtepite qe nuk rindertohen dot nga banoret

“Ndërtuam qytetin dhe tani duam të kthehemi në fshat, të kontribuojmë dhe këtu. Kemi lënë shtëpitë dhe duam ti rregullojmë, ti kemi, të jetojmë moshën e pleqërisë këtu. Vetëm rruga është baza për ne fshatin, fshati rrugë dhe ujë do, të tjerat i ka vetë”.

Vëllezërit Garxenaj të cilët kanë një seri restorantesh në Tirane duan të rikthehen në Topojan për të hapur një punishte pijesh.

“Në një ndër këto lagjet është dhe shtëpia jonë, e babait tonë. Jemi 6 vëllezër, punojmë ca në Tiranë dhe ca në Itali.Kemi vendisur që të gjithë të ardhurat tona që kemi mbledhur këtu që punojnë në Tiranë duam ti investojmë tek shtëpitë tona, duam të bëjmë dhe një punishte sado të vogël për të prodhura verën dhe rakinë se ne kemi në përdorimin tonë në Tiranë disa lokale që i kemi prona tonat. Duam të investojmë në fshatin tonë. Investimi bëhet i pamundur vetëm nga rruga që ka zënë zotëria.Nuk mund të ndërtosh me kafshë, të çosh materialet, të vejë traktori të punojë tokat. Duam të zhbllokohet rruga që ka ekzistuar që nga vitet 60 e ca. Kryetari i bashkisë është shkaktari që nuk do të hapë rrugën. Kur e ka kaq e lehtë të hapë rrugën me projekte pse nuk e hap dhe do të na shohë dhe ne pastaj kur të shkojmë të ndërtojmë kantinat e verës aty që do jenë të ardhura jo vetëm për veten tonë por edhe për bashkinë”.

BOOM në Bashkinë Këlcyrë, nënkryetari fotokopjon dokumentat

BOOM ishte në bashkinë e Këlcyrës  dhe u takua me nënkryetarin e Bashkisë pasi kryetari nuk ishte.

Gazetarja-Emisioni jonë ka pasur një ankesë nga banorët e fshatit Topojan, për shkak të një personi, i cili ka zënë rrugën e kalimit. Këto po penalizohen se po i shëmben shtëpitë dhe nuk ka ku të kalojnë. Këshilli i Komunës Sukë në 2011-ën ka dhënë urdhër që të…

Nënkryetari  i Bashkisë Këlcyrë- Hapet rruga.

Nenkrytari i Bashkise fotokopjon dokumentat

Gazetarja- E njëjta gjë ka ndodhur edhe në 2015-ën.Pastaj prefekti Flamur Bime ka urdhëruar Bashkinë tuaj që të lirojë rrugën. Përsëri në 2017-ën urdhër për t’u liruar rruga, njëkohësisht është edhe një hetim që ka nisur Prokuroria në lidhje me këtë rast.

Nënkryetari i Bashkisë Këlcyrë- Po,po. Mund t’i fotokopjoj unë këto?

Gazetarja-Patjetër.

Nënkryetari i Bashkisë Këlcyrë- 371, kjo është prona?

Gazetarja- Ajo është prona, edhe këtu vazhdon prona 371.

Nënkryetari i Bashkisë Këlcyrë- Tani kjo këtu është rruga. Kjo hartë është marrë në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Përmet, e saktë është  kjo.

Gazetarja- Besoj që kjo skica që iu dhamë do t’iu shërbejë.

Nënkryetari i Bashkisë Këlcyrë-  Po patjetër, kjo është skicë ligjore.

Kryebashkiaku: Kush do të ndërtojë të më vijë në zyrë

Gazetarja e BOOM kontaktoi në telefon dhe kryebashkiakun Klement Ndoni.

Gazetarja- I lashë nënkryetarit të Bashkisë disa dokumenta për t’ju dhënë.

Kryetari Bashkisë Këlcyrë- Po, më ka thënë.

Gazetarja-Do merrni masa për lirimin e rrugës?

Kryetari i Bashkisë Këlcyrë- I vetmi problem që ka qenë aty është problem i një personi.Nuk më ka ardhur për problem të kësaj natyre që do bëj shtëpi, do bëj investime.

Gazetarja- Aty ka vetëm një rrugë që mund të kalosh me kafshë, dhe nëse do të kalojë një makinë nuk mund të kalojë. E kam verifikuar në vend që nuk mund të kalojë. Duke u nisur nga fakti që ky është territor që i përket bashkisë tuaj mendoj që duhet të merrni masa për të hapur rrugën.

Kryetari i Bashkisë Këlcyrë – Ok, ok. Megjithatë këto nuk kanë shumë rëndësi. E rëndësishme është çfarë duan të bëjnë ata, të vijnë aty se do t’jua zgjidh unë. Të vij një person që të më thotë do të ndërtoj shtëpine o ‘vlla do vete te shtëpia ime me makinë, me kamion. Do t’i them hajde, të marr dhe inxhinierët e mi të shkoj atje, të gjej mënyrën për të vajt, për të ndërtuar ai shtëpinë.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë