Zgjedhjet 2017 - Basha: Me planin tim ekonomik do të vijnë investitorë të huaj
19/06/2017 - 11:13

Nga Gjirokastra, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se ka dhënë shumë premtime, por nuk ka mbajtur asnjë. Sipas kryetarit të opozitës, Rama edhe kur del jashtë vendit e ka mendjen si të ekspozojë pikturat e tij dhe jo të punojë për zhvillimin e vendit. Përveç Presidentit Trump, Basha tha se në shba ka takuar dhjetëra zyrtarë të lartë për t’i bërë me dije programin ekonomik e për të thithur investitorë  të rëndësishëm.

Në mitingun përmbyllës të fushatës në Gjirokastër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u tha qytetarëve se ai është gati të marrë drejtimin e vendit.

I vetëdijshëm se është një punë e vështirë, Basha u zotua se  do të punojë çdo ditë për qytetarët dhe  për interesat e tyre.

Basha: Kur isha në SHBA nuk harxhova asnjë minutë kohë për qejfet e mia, por u takova me investitorë të fuqishëm për tju shpjeguar planin tim ekonomik dhe që do të vijnë të investojnë në këtë vend sepse me planin tim Shqipëria do të ketë taksat me të ulëta, çmimi i naftës dhe energjisë do të jenë konkurruese.

 Rama nuk e beson planin tonë ekonomik, dhe nuk ka si ta besojë sepse me Ramën taksat do rriten, Rama do harxhojë miliona për fasada dhe të kujdeset për pushtetin, timinin që e quan ai.

Ai nuk ka asnjë plan për të ndihmuar shqiptarët. 4 vjet premtime të pambajtura dhe tani kërkon premtime të tjera si ato të para 4 vitesh, por pa i mbajtur ato.  Me Ramën taskat do të rriten. Merrni kredi i thotë fermerëve, ky është kryeministri i bankave dhe jo i njerëzve.

Basha tha se vota për numrin 6 është vota për të rritur ekonominë e shqiptarëve.

Taksa të ulëta, rritje të punësimit, para në dorë për fermerët, stazhe për të rinjtë, ndihmë për shtresat në nevojë, shkolla me kushte për fëmijët, ishin premtimet e kryedemokratit.

Programi i Partisë Demokratike, përsëriti Basha, është i ngjashëm me programin e administratës Trump.

Basha: Nga Gjermania në SHBA ka vetëm një model që rrit ekonominë, ulja e taksave, financime të drejtpërdrejta për fermerët, këto janë zgjidhje që kanë funksionuar në Europë, këto janë zgjedhjet e planit tim ekonimik.

Ai kërkon timonin unë do të rregulloj motorin që është ekonomia e vendit. Bashkohuni me këtë lëvizje. Vetëm vota për nr 6 është votë për veten tuaj. Vota për këdo tjetër është votë për ata që e sollën Shqipërinë në këtë gjendje.

Basha theksoi para qytetarëve të Gjirokastrës se ndryshimi mes tij dhe Kryeministrit është i madh.

Sipas tij Rama e do timonin për vete, ndërsa unë u shpreh ai, e dua të rregulloj motorin e ekonomisë për gjithë shqiptarët. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Tornado godet Kinën

Close