Pensionet - Beteja e rëndësishme e ish-ushtarakëve me Gjykatën e Lartë në shtator
22/08/2017 - 21:36

Ish-ushtarakët kundërshtojnë vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë, që iu heq atyre të drejtën për të ankimuar pensionet në gjykatat e shkallës së parë.

Me 6 shtator ata do të përballen në Gjykatën Kushtetuese dhe kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri thotë se kanë ende shpresë tek drejtësia.

Konduri: Dy vendimet e para të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë favorizuese, na është dhënë e drejta e ankesës sonë. Qeveritë nuk i kanë marrë parasysh këto dhe i kanë përkeqësuar ligjet, kjo është arsyeja që ne kemi vajtur gjyq pas gjyqi. Ne si shoqatë presim drejtësi, shpresën tek drejtësia nuk e kemi humbur. Paradoksi është se kemi dhe qeverinë kundër nesh. Miratojnë ligjet në parlament dhe po këto ligje i shkelin vetë.Detyrojnë Sigurimet Shoqërore të hedhin në gjyq ushtarakët.Ky kalvar ka filluar që në 2004 kur u miratua statusi i ushtarakut, për më tepër për pensionet e parakohshme në 1999. Me udhër verbal të Sigurimeve Shoqërore këto pensione u përgjysmuan.

Ne shpresojmë të korrigjohet në Kushtetuese megjithëse kanë ndodhur veprime skandaloze prapë nga kjo gjykatë me vendimin e tretë të saj.Kur një grup ushtarakësh apeluan aktin normativ, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të paarsyeshëm duke detyruar dhe gjykatat e  tjera të marrin vendime në kundërshtim me realitetin. Gjykonte që ulja e pensioneve që u bë me aktin normativ gjykohej mbi gjendjen ekonomike, vështirësitë që kishte shteti në një kohë kur pensionet e tjera ngriheshion, rrogat ngriheshin dhe asnjë pension tjetër nuk u cënua përveçse i ushtarakëve.

Duke e cilësuar ndeshjen e fundit të ushtarakëve për të drejtat e tyre, Konduri tha në studion e Ora News se të gjitha qeveritë kanë bërë padrejtësi ndaj tyre.

Konduri: Është ndeshja e fundit që bëjmë ne ushtarakët përkundrejt veprimeve të padrejta qoftë të qeverisë, qoftë gjykatave të Shqipërisë lidhur me të drejtat ekonomike të ushtarakëve. Përballjen e kemi me Gjykatën e Lartë. Në nëntor të 2016 ka marrë një vendim tepër absurd me anë të cilit u heq të drejtën të gjithë ushtarakëve të kërkojnë të drejtat e tyre të shkelura. Janë mijëra ushtarakë që kanë fituar të drejtën e tyre dhe kanë marrë shpërblimin që u takon. Tani ngrihet Gjykata e Lartë pas 10 vjetësh që ne kemi kërkuar një vendim unifikues që ushtarakët të mos shkojnë më gjyqeve, merr një vendim të kundërt me realitetin, duke shtrembëruar nenet si nga ana gramatikore ashtu dhe juridike. Detyron gjykatat e niveleve më të ulëta që ta intepretojnë ligjin ashtu sikurse thotë kjo gjykatë. Gjykoj se është politike pasi janë po këta gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që kanë firmosur këtë vendim unifikues alogjik që kanë dhënë me qindra vendime pro ushtarakëve.

Por cilat janë argumentet kryesore më të cilat do të kërkojnë të drejtën e tyre në gjykatë?

Konduri: Amoraliteti i këtij vendimi që detyron të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë të gjykojë siç gjykon Gjykata Kushtetuese. Kërkojmë të bjerë kjo, gjykata do të gjykojnë siç është ligji. Për më tepër merr një vendim për një ligj që është shfuqizuar me kohë, nuk ka efekte prapavepruese. Kanë dalë të tjera ligje.Ushtarakët kërkojnë shkeljet e ligjit që i janë bërë nga viti 1999-2010. Me vendimin që mori u heq të drejtat ushtarakëve të kërkojnë të drejtat e shkelura në këtë periudhë.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Fusnota, “veç” deri te njohja e plotë nga BE

Close