Investigimi - Bllofi i certifikatave, BOOM: Urdhri i qeverisë shton më tej burokracitë
09/10/2017 - 19:26

Dy ditë pas urdhrit të Kryeministrit Rama për pajisjen e qytetarëve me 24 dokumenta në sportelet e institucioneve ku ato kërkohen, emisioni ‘BOOM’ sjell fakte të dështimit të zbatimit të tij në disa institucione, pasi sistemi nuk funksion. Zyrat e gjendjes civile nuk lëshojnë më certifikata, por në vendet ku ato kërkohen si dokument është e pamundur të printohen nga portali e-Albania sipas urdhërit të shefit të qeverisë për shkaqe teknike, pasi mungojnë kompjuterat dhe interneti. Kështu ndodh dhe me kartën e shëndetit apo vërtetimin e pensionit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë më datë 2.10.2017 ka nxjerrë urdhrin me numër 101 / 1 “Për lehtësimin e kërkesave dokumentare të shërbimeve të ofruara ndaj biznesit dhe qytetarëve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj”. Në këtë urdhër është përcaktuar lista me 13 dokumenta të cilat nuk do t`ju kërkohen më qytetarëve në institucione.

Përveç këtyre dokumentave, janë dhe 11 dokumenta të tjera, pasi gjithësej janë 24 dokumenta që nuk do kërkohen më.

Mes tyre dhe karta e shëndetit, vërtetim pensioni etj.  Nëse një person shkon të bëjë një vizitë te mjeku, nuk duhet t`ja kërkoj mjeku fare kartën e shëndetit, por duhet ta shoh në sistem për qytetarin, ta printoj që aty nëse i duhet karta e shëndetit të qytetarit.

Nga njëra anë kjo e lehtëson qytetarin pasi nuk i merr kohë, por edhe redukton shpenzimet, si për qytetarin ashtu edhe për shtetin.

Rama: Dua ta përsëris thirrjen time për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që të refuzojnë çdo kërkesë të çdo zyre për certifikatë në letër. Certifikatat familjare, certifikatat personale janë në sistem dhe nga sistemi zyrat e shërbimeve të shtetit duhet t’i nxjerrin pa asnjë qindarkë, në kohë reale, për t’ju dhënë qytetarëve shërbim.Vërtetimet e pensionit, po ashtu. Pensionistët nuk kanë më asnjë arsye të bëjnë as dhe një metër rrugë dhe të humbasin as dhe një sekondë në radhë për të marrë vërtetim pensioni. Karta e shëndetit, po njësoj; Të gjitha këto, sot që flasin, nuk ekzistojnë më për qytetarët, nuk ekzistojnë më për kompanitë. I takon zyrës së shtetit, nëpunësit përkatës që t’i sigurojë ato, për llogari të qytetarit, përmes kompjuterit. Dhe nuk duhet të lëvizi njeriu nga sporteli nëse s`ja bën. Të rri atje dhe të kërkoj t`i bëhet dhe ta denoncoj nëse nëpunësi nuk ja jep.

Qendra Shëndetësore Tiranë kërkon kartë shëndeti

Por e kundërta ndodh në sportelet e shtetit.Gazetarja e BOOM ishte në një qendër shëndetësore për të bërë analiza dhe nëse nuk do të kishte me vete kartën e shëndetit nuk do të mbaronte punë.

Në qendër nuk kishte as kompjuter, as internet që mjekja të printonmte kartën nga sistemi.

Gazetarja: Mirëmëngjes.

Punonjësja:  Mirëmëngjes.

Gazetarja: Kam për të bërë këto dy analizat.

Punonjësja:  Ma jep kartën të lutem.

Gazetarja: Cilën kartë?

Punonjësja:  Kartën e shëndetit.

Gazetarja: Aaa, po sikur thanë që do verifikohen online? Edhe për kartat sikur thanë që do verifikohen online, mos ja jepni punonjësve tha se i verifikojnë online.

Punonjësja:  E mirë, mirë…

Gazetarja: Po ju keni kompjuter për shembull që ti shikoni online? Se duhet të ketë dhe infrastrukturë që… 

Punonjësja:  Po, dalim te dritarja i shohim.  Mbaje kartën në dorë.

Dispanseria Tiranë kërkon 1 mijë lekë në mungesë të kartës së shëndetit

Gazetarja e BOOM ishte dhe tek Dispanceria, po përsëri me rekomandim nga mjeku në dorë dhe me kartën e identitetit, por i kërkuan kartën e shëndetit. Edhe këtu mungonte infrastruktura. Jo vetëm që nuk ja printuan, por i thanë shko dhe prit faturë një mijë lekë, pasi pa kartë shëndeti nuk e merr dot ndryshe shërbimin.

Gazetarja: Si jeni?

Punonjësja: Kartë shëndeti s`ke?

Gazetarja: Jo, kam aplikuar online.

Punonjësja: Mirë mami mirë, hajde. (Mbyll telefonin).

Gazetarja: Kam aplikuar online për kartë shëndeti, domethënë te ajo ku mora këtë rekomandimin, edhe më thanë nuk ka problem, se mund ta shikojnë online atje ku shkon që je në punë domethënë se më duhet për marrëdhënie pune kjo.

Punonjësja: Po jo, unë nuk kam ku ta shikoj. S`na kanë ardhur kompjuterat.

Gazetarja: S`ju kanë ardhur kompjuterat? Po si do t`ja bëjmë tani?

Punonjësja: Prit një faturë njëmijë lekëshe. Ç`a të bëj unë? Ndryshe se regjistroj dot. Nuk ke fare kartë ti?

Gazetarja: Nuk kam pasur unë pra kart. Se u bë një kohë e gjatë që se kisha nxjerrë. E kupton? Edhe tani kur shkova ato më thanë jo po është online, ne nuk japim më karta.

Punonjësja: Karta shëndeti?

Gazetarja: Po, për karta shëndeti. Është online karta e shëndetit, po po është online.

Punonjësja: Po, po është online, por mund ta printosh ti dhe ta marrësh. Ne nuk kemi. Ja e shef ti që s`kemi?

Gazetarja: Tani me këtë çfarë do bëj unë, se nuk kuptova asgjë.

Punonjësja: Prit një mijë lekë faturë te informacioni edhe hajde.

Shkojmë të presim faturën

Gazetarja: Kryeministri dje tha i merrni online, nuk keni nevojë pse të merrni kartë shëndeti tha. Ku keni nevojë të merrni shërbimin, ta hapin dhe t`ju a printojnë online.

Punonjësja: Po, po qe kompjuteri thuaj po, Kryeministrit.

Gazetarja: S`ka kompjuter ë?

Punonjësja: Po s`na i ka sjellë kompjuterat.

Gazetarja: Tani unë duhet të paguajë një mijë lekë thoni ju ë? Merre 10 mijë lekshin këtu.

Punonjësja plotëson faturën

Gazetarja: Kjo paguhet një mijë lekë kur nuk ke kartë shëndeti.

Punonjësja: Po.

Gazetarja: Edhe pse u tha që karta e shëndetit nuk do nxirret më domethënë ë?Unë duhet të paguajë një mijë lekë. Nejse, hajde s`ka problem.

Punonjëset kthejnë kusurin

Gazetarja: Kartën që në fakt Kryeministri tha shkoni atje tha, se ju a printojnë atje online. Kështu që unë duhet ta paguajë një mijë lekë.

Punonjësja: Nuk printohet online, ja futu në çdo zyrë, asnjë kompjuter nuk është.

Gazetarja: Po pse?

Punonjësja: Kur të sjellin kompjuterat, atëherë do t`ju a bëjmë.

Kthehemi te mjekja

Gazetarja: E pagova se më vinte më shumë të dilja tani në qendër interneti sesa…

Punonjësja: Ne nuk kemi këtu, s`na kanë ardhur. Po të kishin ardhur…

Pensionistët nuk shpëtuan nga burokracitë në OSHEE

Kryeministri Rama u shpreh se një tjetër dokument që nuk do të kërkohet në zyrat shtetërore është edhe vërtetimi i pensionit.

Në të shumtën e rasteve ky dokument terhiqet nga pensionistët pasi këta te fundit duan të përfitojnë nga kompensimi i energjisë elektrike. Por çfarë ndodh në zyrat e kujdesit ndaj klientit të OSHEE?

Punonjësja: Nuk kemi akses në sistem

Gazetarja: Kam mamanë invalide dhe më kanë thënë që nga OSHEE përfiton ulje në pagesën e dritave, çfarë dokumentash të sjell?

Kujdesi ndaj klientit: Si rregull ti ke vetëm kompensimin e dritave, asgjë tjetër.

Gazetarja: Sa lekë është kompensimi?

Kujdesi ndaj klientit: Gjashtë mijë lekë të vjetra, po për atë do të pyesësh sigurimet shoqërore.

Gazetarja: Po për këtë gjashtë mijë lekësh-in si pensioniste, çfarë dokumentash duhen?

Kujdesi ndaj klientit: Duhet të pyesësh te Sigurimet Shoqërore.

Gazetarja: Unë atje isha dhe ato më sollën te ju.

Kujdesi ndaj klientit: Po çfarë të kërkuan ato?

Gazetarja: Sigurimet Shoqërore më thanë,të duhet kartë identiteti, libreza që paguan dritat dhe një vërtetim pensioni.

Kujdesi ndaj klientit: Ok.

Gazetarja: Vërtetimin e pensionit e merr te OSHEE online.

Kujdesi ndaj klientit: Jo, jo nuk ka ardhur akoma. Ne nuk jemi akoma në atë faze që ta japim. Po ku e merr vërtetimin e pensionit?

Gazetarja: Po se ke në sistem? Rama tha që…

Kujdesi ndaj klientit: Po lëre ç’a… akoma nuk është bërë aplikimi. Akoma nuk është në sistem. Nuk e kemi akoma këtë aplikimin që është thënë në televizor. Nuk është instaluar akoma te ne.

Punonjësja e OSHEE kërkon vërtetim nga Sigurimet

Gazetarja: Unë kam mamanë pensioniste, por është edhe invalide, dhe më kanë thënë që nga OSHEE përfiton një ulje tek pagesa e dritave.

Kujdesi ndaj klientit: Duhet të shkoni te sigurimet dhe t’i thoni ç`a dokumentacioni do tërheq unë nga OSHEE, që të përfitoj kompensimin e energjisë elektrike.

Gazetarja: Isha dje atje dhe ato më thanë të duhet kopja e kontratës, kartën e identitetit fotokopje, njëkohësisht edhe një vërtetim që eshtë pensioniste, por të treja këto i ke te OSHEE se ato kanë akses që të shikojnë nëse është pensioniste ose jo.

Kujdesi ndaj klientit: Jo.

Gazetarja: Ato më thanë mua ka nxjerrë Rama këtë ligjin e ri që nuk kërkohet vërtetim pensioni, dhe ato kanë akses të shikojnë që kjo është pensioniste.

Kujdesi ndaj klientit: Edhe pse e shohim ne që është pensioniste, ajo duhet një fletë të vijë.

Gazetarja: Duhet gjithsesi?

Kujdesi ndaj klientit: Po, po.

ALUIZNI nuk nxjerr certifikatë, as njësitë administrative nuk e japin

BOOM ishte dhe tek një nga drejtoritë e ALUIZNI-t në Tiranë, për të bërë një aplikim për leje legalizimi për një apartament të palegalizuar.

Për këtë procedurë kërkoheshin tre dokumenta, një prej tyre certifikata familjare e blerësit të apartamentit. Punonjësja e ALUIZNI-t i tha se duhet ta marrë në gjendje civile.

Gazetarja: Kam një apartament këtu në Yzberisht dhe dua të aplikoj për leje legalizimi. Kanë aplikuar dhe ata banorët e tjerë. Tani doja njëcik vetëm dokumentat. Dhe certifikatë duhet? Se të tjerat i kam bërë unë mesa më kanë thënë të tjerët.

Punonjësja e Aluiznit: E dashur e mora vesh pyetjen. Më lërë të punoj tani.

Gazetarja: Certifikatë familjare e blerësit. Po.

Punonjësja e Aluiznit: Kopje e kartës së identitetit edhe kontrata e noterizuar.

Gazetarja: Ok. Këto të dyja i kam unë, vetëm certifikatë familjare nuk kam. A mund ta nxjerrim nga sistemi? 

Punonjësja e Aluiznit: Jo, nuk e kemi akoma atë sistem. S`na e kanë sjellë ende. 

Gazetarja: A, nuk e keni për momentin?

Punonjësja e Aluiznit: Jemi në preocedurë e sipër që të lidhemi me gjendjen civile, por për momentin nuk e kemi.

Gazetarja: A, ok, në rregull. Duhet ta marrë atje unë, te njësia ime? 

Punonjësja e Aluiznit: Po.

BOOM ishte në njësinë 4 në kryeqytet. Në njësitë administrative është vendosur njoftimi nga zyra e gjendjes civile që certifikatat për institucionet do të merren nga vetë ata nëpërmjet portalit e-Albania dhe jo nga zyra e gjendjes civile.

Kjo u konfirmua dhe nga përgjegjësi i Njësisë Adminstrative Nr.4, Adison Stroka, i cili tha:

“Certifikatat për institucionet nuk lëshohen për asnjë lloj rasti kur kemi të bejme me certifikata personale apo familjare. Në rastet e tjera për certifikata vdekje apo historike të gjitha lëshohen ne zyrat tona”

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë