Investigimi - Skandali në BOOM: Rektori Koni shoqërohet në polici pa shpjegime
20/09/2017 - 19:15

Rektori i Universitetit të Tiranës, Profesor Doktor Mynyr Koni është bërë pjesë e një ngjarje të rëndë të ndodhur më datë 11 gusht.

Ndërsa udhëtonte me automjetin e tij pranë Ministrisë së Jashtme është ndaluar nga një patrullë policie e cila ishte krejt e paqartë për ndalimin e tij në momentin që u has me pyetjet e përfaqeuesit të lartë të Universitetit të Tiranës.

Patrulla më pas shoqëroi Rektorin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës edhe pse siç i tha nuk kishte problem me qarkullimin por arsyen do ta merrte vesh në Drejtori.

Denoncimi erdhi në emisionin BOOM në RTV Ora News, mbrëmjen e sotme, 20 shtator 2017.

Në shkresën-ankesën drejtuar disa institucioneve dhe që BOOM e disponon, Rektori  Koni tregon ngjarjen.

Mynyr Koni: Ditën e  premte, datë 11.08.2017 , rreth orës 09:00 kam qenë duke  udhëtuar me mjetin HYUNDAI ngjyrë e bardhë me targë TR 4085 U (mjetin e drejtoja vetë) përballë me Ministrinë e Jashtme. Aty jam ndalur nga një patrullë policore me veshjen e policisë rrugore, të cilët nuk u prezantuan. Ata më kërkuan dokumentacionin e makinës dhe timin. Pasi konstatuan se çdo gjë ishte në rregull, komunikuan me radio se mjeti është në rregull, dhe po kështu edhe drejtuersi i mjetit. Më pas njëri nga punonjësit e policisë më pyeti nëse këtë makinë ja kisha dhënë ose jo dikujt tjetër, nëse ke ecur me shpejtësi të lartë në autostradë dhe nëse ke bërë spektakël duke i dhënë makinës me shpejtësi. Ju thashë që mund të ketë ndonjë keqkuptim, prandaj ju lutem verifikojeni.

Gjithashtu ju bëra të qartë se makina ka qenë gjatë gjithë kohës pranë meje (gjatë kohës së punës), ndërsa gjatë pjesës jashtë orarit të punës, makina qëndron në vendin e posaçëm, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Këtë mund ta verifikoni edhe nëpërmjet kamerave të sigurisë. Më pas, më thanë se nuk ka problem për rregullat e qarkullimit, por do të shoqërojmë në Drejtorinë e Policisë Tiranë. U kërkova arsyen, por refuzuan të ma thonin, duke më siguruar se do të më komunikonin në Drejtori.

Rektori sqaron: Më bllokuan mjetin pa asnjë shpjegim

Rektori i Universitetit të Tiranës thotë ndër të tjera se mjeti iu mbajt në Drejtorinë e policisë ndërsa nuk iu dha asnjë shpjegim.

Mynyr Koni: Mora makinën dhe së bashku me një nga policët e qarkullimit, u shoqërova në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Parkova makinën në oborrin e policisë dhe së bashku me policin e qarkullimit shkuam tek polici i shërbimit. Më thanë që ta lija makinën aty, se do të komunikonin me mua më vonë.

U kërkova arsyet e gjithë kësaj situate, por më thanë se do t`ju komunikojmë me telefon. Polici i qarkullimit, pasi bëri veprimet tek polici i shërbimit me kartën time të identitetit, lejen e drejtimit të automjetit dhe lejen e qarkullimit të mjetit, më kërkoi që këto dokumenta ti vendosja vetë në makinë dhe ti dorëzoja çelësin e makinës. Unë i kërkova përsëri të më jepnin sqarimet e duhura, pse po bllokohet mjeti, cilat janë arsyet, si dhe të më krijonin mundësinë të takoja ndonjë autoritet të policisë.

Më thanë që do ju marrim në telefon dhe i lashë numrin tim të telefonit. Nuk më dhanë asnjë dokument apo proces-verbal për bllokimin e mjetit, pavarësisht që unë e kërkova. Në këtë kohë, unë po shkoja të fusja dokumentet në makinë, ndërhyri polici i shërbimit duke i thënë policit të qarkullimit, që çelësat do ti mbajë profesori, sepse ai ka dokumente pune në makinë. Në këtë moment polici i qarkullimit mi dha çelësat e makinës. Në orën 09:55 kam dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, me shpresën e komunikimit.

Kam pritur një komunikim deri në orën 16:00, por nuk mora asnjë njoftim, duke u paraqitur në orën 16:30  në Drejtorinë e Policisë. Aty mësoj se mjeti nuk ndodhej në ambientet e Drejtorisë së Policisë , pasi i ishte lënë në ruajtje një personi tjetër. Theksoj se çelësat e makinës i kam unë. Kërkova përsëri të më jepet një proces-verbal i ndalimit të mjetit, i shoqërimit tim me mjet pranë Drejtorisë së Policisë, kujt ja kishin lënë në ruajtje, dhe nuk më është dhënë asgjë.Gjithçka më bëhet me dije vetëm gojarisht nga oficerët e rojes pasi kërkova që të denoncoja rastin.

Rektori Koni shkrese ankesë katër  institucioneve

Për këte ngjarje, Rektori u eshte drejtuar me një shkrese ankesë katër  insitucioneve, Ministrisë së Brendshme, asaj të Arsimit dhe Sporteve, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Drejtorisë së Tiranës.

Në shkresën që emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora News e ka siguruar, Rektori ndër të tjera i bën me dije se mjetin e bllokuar e ka në përdorim, mbështetur në autorizimin e lëshuar nga Kancelari i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Mynyr Koni: Ky mjet është i regjistruar në emër të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe unë isha i pajisur me një autorizim nga Kancelari i Shkencave të Natyrës, të cilin punonjësit e policisë e kanë pasur në dispozicion bashkë me dokumentet e tjera të mjetit.

Gjithashtu unë kur jam kthyer në zyrë kam bërë verifikimet në protokollin zyrtar të Rektoratit dhe më ka rezultuar se që prej muajit Korrik 2017 e në vazhdim, nuk është dërguar nga Universiteti i Tiranës asnjë shkresë për në Komisariatin e Policisë Rrugore apo në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Kërkoj nga ana juaj të verifikohen veprimet e punonjësve të policisë, që nga moment i bllokimit të mjetit, ku pas bllokimit nuk më kanë dhënë asnjë dokumentacion në lidhje me këtë gjë, si dhe deri tek lënia e mjetit në ruajtje tek një person tjetër, pa dijeninë time si titullar i institucionit. Përveç kësaj, punonjësit e policisë mua nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim, verbal apo shkresor në lidhje me arsyen e bllokimit të mjetit.

Për sa më sipër bëra denoncim në Shërbimin e Çeshtjeve të Brendshme dhe ankesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, nga diskutimet me të cilët, mësova se situata e krijuar mund të ketë lidhje me bashkëpunimin mes Kancelarit të Universitetit të Tiranës dhe Policisë Rrugore apo Drejtorisë së Policisë Tiranë. Dua të bëj me dije se, që nga data 03.08.2017, Kancelari është pezulluar nga detyra për shkak të shkeljeve të shumta ligjore dhe situatave të papranueshme që ka shkaktuar në Universitetin e Tiranës. Mendoj se, mes këtij të fundit, Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe asaj Rrugore në Drejtorinë Qendrore ka patur bashkëpunim përtej caqeve ligjore, sepse menjëherë pasi jam shoqëruar në Drejtorinë e Policisë, pa asnjë shkresë, e pasi kam lënë makinën në oborrin e policisë, makina është lënë që të merret nga persona të tjerë, pa asnjë formalitet dhe procedurë.

Pra, organet e Policisë së Shtetit kanë kryer shërbime me karakter privat në favor të Kancelarit të pezulluar, për shkak se në protokollin e Universitetit të Tiranës nuk rezulton asnjë shkresë dalëse drejtuar policisë për këtë makinë, e aq më pak shkresa hyrëse që referojnë faktin e bllokimit të makinës si dhe kondicionet e saj.

Policia kthen përgjigje: Ndalimi pas kallzimit të Kancelarit

Përkundër shkresës së drejtuar, nga katër institucionet vetëm Drejtoria e Policisë Tiranë ktheu përgjigje duke përligjur veprimin e policisë për shoqërimin e Rektorit në polici dhe bllokimin e automjetit.

Policia: Universiteti i Tiranës me shkresën nr.62/2 protokoll, datë 09.08.2017, i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nëpërmjet së cilës kërkonte ndërhyrjen urgjente të këtij institucioni, si organi kompetent për ndalimin e menjëhershëm të qarkullimit të automjetit si dhe kryerjen e procedurave përkatëse ligjore për shkelësit e ligjit.

Në shkresën drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, përmenden edhe disa shkresa drejtuar Rektorit të Universitetit mbi dorëzimin e automjetit me targë TR 4085 U, ku Universiteti i Tiranës nëpërmjet Kancelarit, i cili bazuar në ligjin për Arsimin e Lartë Nr.80/2005 si dhe ligjin nr 10296/2010 “për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, menaxhimi i aktiveve në pronësi të tij, është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë ligjore e Kancelarit/ Administrator i Universitetit të Tiranës. Nisur nga rrethanat Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë , në zbatim të kërkesës shkresore zyrtare të Universitetit të Tiranës, ka dhënë detyrë konstatimin dhe shoqërimin e automjetit pranë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Ndërkohë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është paraqitur Kancelari i Universietit të Tiranës z.Robert Skënderi, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj rektorit z.Mynyr Koni.

Pas paraqitjes së dokumentacionit të automjetit, i cili rezultonte pronë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, automjeti ju la në ruajtje shtetasit Briken Fiku, me detyrë shofer në Universitetin e Tiranës. Sqarojmë se më parë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë dërguar shkresa të ardhura nga Universiteti i Tiranës, me kallëzues Rektorin,z. Mynyr Koni në ngarkim të punonjëses S.A dhe Kancelarit Robert Skënderi si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”.

Materialet proceduriale të hartuara lidhur me këtë vepër penale me shkresën, datë 28.02.2017, janë referuar në Prokurorinë Tiranë, për hetime të mëtejshme.Gjithashtu nga ana jonë me shkresën datë 11.08.2017, kemi dërguar materialin shtesë për të gjitha veprimet e kryera nga ana jonë, për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme. 

Rektori ankesë tek Çako dhe Demiraj për shkeljet e policisë

Pas përgjigjes së marrë nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në lidhje me rastin, Rektori Koni ka bërë ankesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për dijeni edhe ministit të Brendshëm, ku akuzon rëndë për manipulim faktesh dhe abuzim me detyrën Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Mynyr Koni: Sipas shkresës datë 16 .08.2017 të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nënshkruar nga zv.Drejtori për krimet, Kryekomisar z.Arsen Sinamataj, faktet dhe ngjarja ndryshohen tërësisht, duke më lindur me të drejtë dyshime serioze mbi ligjshmërinë e punës së funksionarëve nën varësinë tuaj. Sipas shkresës në fjalë, Universiteti i Tiranës i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me shkresën datë 9.08.2017, ndërkohë që në protokollin e Rektoratit nuk egziston e regjistruar një kërkesë e tillë. Në shkresën e saj evidentohet se nga punonjësit e policisë rrugore më janë bërë të ditura shkaqet e ndalimit dhe të shoqërimit në Drejtorinë e Policisë, të cilat i referohen veprimeve të kancelarit të Univeristetit të Tiranës, i cili pretendon se përdorimi i makinës nga ana e Rektorit është në shkelje të ligjit për arsimin e lartë.

Pra, Drejtoria Vendore e Policisë, duket se evidenton probleme të brendshme mes dy organeve të Universitetit të Tiranës mes Rektorit dhe Kancelarit, por nga ana tjetër me veprimet e saj bëhet palë egzekutive e kërkesave të këtij të fundit,të cilit i është pezulluar ushtrimi i funksionit të tij me vendimin nr.116 prot. datë 03.08.2017, të Rektorit të Univeristetit të Tiranës, moment ky, pas të cilit ai nuk mund të kryejë asnjë veprim nën siglën e kancelarit. Për realizimin e kësaj situate të shëmtuar , strukturat policore kanë vepruar bazuar në firmën e një nëpunësi të pezulluar nga detyra dhe vulën e kufizuar për përdorim të brendshëm , domethënë përbrenda organeve të Univeristetit të Tiranës, jo dhe jashtë tij.

Nga verifikimet  e bëra ditën e ngjarjes nuk rezultonte të ishte regjistruar asnjë procedim penal ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës që të paktën të justifikohej sekuestrimi i automjetit dhe lënia në ruajtje një personi tjetër. Me ngjarjen  e datës 11.08.2017 mendoj se strukturat e Policisë së Shtetit pranë Drejtorisë Vendore Tiranë në bashkëpunim me shtetasin Robert Skëndëri, Kancelar i pezulluar, pa përjashtuar persona të tjerë që kanë ushtruar ndikim, kanë kryer disa vepra penale.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter