Fermeri denoncon - BOOM: Kompanitë e grumbullimit të qumështit nuk japin faturë tatimore
13/09/2017 - 19:26

Emisioni “BOOM” në RTV Ora News solli denoncimin e një fermeri të fshatit Pluk në Lushnje për mospajisjen me faturë tatimore nga grumbulluesit e qumështit.

Ëngjëll Tole, i cili mbarështon 10-15 krerë lope, thotë se pa faturë tatimore nuk mund të përfitojë subvencion nga shteti sikundër është parashikuar në ligj.

Nga ana tjetër ai shton se del me 10% humbje, pasi shesin nën kosto.

“Kompanitë funskionojnë si një kartel, një çmim kanë të gjitha. As nuk u intereson dhe nëqoftëse nuk e shet me çmim që ata duan nuk ta marrin fare” deklaron ai.

Denoncimi i Ëngjell Toles: Aktualisht ushtroj profesionin si zooteknik, duke qenë i vetëpunësuar në një fermë të vogël  me statusin si bujk privat, mbarështoj 10-15 krerë lopë të rendimentit 4000 litra qumësht për krerë dhe ndërkohë mbarështoj dhe viçat e tyre. Aktualisht realizoj një prodhim prej 1-2 kv. Ne nuk e marrim kapacitetin biologjik të lopëve sepse nuk kemi interes të shtojmë prodhimin tonë të qumështit sepse dalim me kosto të lartë dhe çmimi i qumështit është minimal. E shesim nën kosto.

Duke marrë koston e të gjitha shpenzimeve që ka kafsha këtu, mbarështimi, pastrimi, energjia, transporti  e them me bindje qe dalim me -10%. Kompanitë aktualisht na e marrin dhe pa faturë tatimore dhe nuk kemi mundësi të subvencionohemi nga shteti, na e marrin me 40l/liter. Kompanitë funskionojnë si një kartel, një çmim kanë të gjitha. As nuk u intereson dhe nëqoftëse nuk e shet me çmim që ata duan nuk ta marrin fare.

Unë kërkoj që ose ne të subvencionohemi nga shteti për krerë dhe mos të kemi pune me kompanitë e qumështit dhe të verifikohen krerët e lopëve dhe viçave. Ose të bëhet për liter qumështi por këtu duhet të punohet me kompanitë dhe ta marrin qumështin me faturë tatimore sepse aktualisht e marrin pa faturë tatimore. Pas kësaj situate që unë po e bëj publike pres edhe masa nga kompanitë, por unë po e bëj publike.

Ne foto: Fermeri Engjell Tole

Drejtoria e Bujqësisë Lushnje: Nuk ndërhyjmë në tregje

Emisioni “BOOM” iu drejtua Drejtorisë së Bujqësisë së Lushnjes për të kuptuar se si ndihmohen fermerët prej saj.

Drejtori: Ne i çojmë problemet që i sjellin fermerët këtu në Ministri. Ministria me AZHBR-në  krijojnë politikat e veta. Ne jemi përcjellës të shqetësimeve dhe problemeve të fermerëve, të bujqëve në bujqësi si dhe të blegtorëve. Unë po them që duhet gjetur një rrugë që fermeri të jetë i kënaqur.

Gazetarja: Cila është ajo rrugë?

Drejtori: Duhet të bëhet me kompanitë, nuk mund të gjej unë rrugën e shitjes së qumështit për fermerin. Nuk jam unë ai që komandon tregun.Unë flas për sektorin që mbuloj. Në qoftë se ka një sëmundje, vë në dijeni Ministrinë dhe nga Ministria bëhet vaksinimi siç është bërë gjithmonë. Kur ka patur probleme në kemi bërë punën tonë.Në punën e tregut nuk jam ai që komandon tregtinë e qumështit.

AZHBR: Fatura tatimore nuk është përgjegjësia jonë

“BOOM” kontaktoi përmes telefonit inspektorin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural të Lushnjes, i cili shpjegoi procedurën që duhet të ndjekin fermerët për të përfituar subvencionet.

Leonard Bano: Del vendimi i qeverisë, bëhet aplikimi te Drejtoria e Bujqësisë dhe ngrihet Komisioni. Dhe fermerët në bazë të udhëzimit aplikojnë. Lushnja ka 17 subjekte përsa i përket “skemës dorëzim qumështi” dhe ai (Engjëll Tole) nuk ka patur asnjë problem. Pasi kemi bërë verifikimet të 17-ve ne tani, neser e tutje, këtyre fermerëve ne i kërkojmë faturat e shitjes së qumështit.

Gazetarja: Zotëria në fjalë  thotë që nuk i japin faturën nga kompania që i merr qumështin, pra nuk i jep faturë tatimore.

Leonard Bano: Problemi i faturës është problem i tij, nuk është problem i AZHBR-së. Prandaj po të shpjegoj kaq qartë. Unë si inspektor AZHBR-je kam detyrë ligjore që të bëj verifimin dhe ai është në rregull me numrin e krerëve, me matrikulimin etj etj. Që ai të subvencionohet nga shteti sepse të gjithë marrin, por pasi sjellin faturat tek ne. Për shembull, është 2000 litra për një lopë. Ky supozojmë ka 10 lopë dhe do të sjell fatura tek përfaqësuesi i AZHBR-së  për 20 mijë litra qumësht që nga data 1 janar deri në i 10 tetor.

Gazetarja: E kuptoj! Në rast se ata nuk kanë faturat nuk subvencionohen?

Leonard Bano: Nuk subvencionohen sepse nuk e lejon ligji.

Drejtoria e Tatimeve Fier grup pune për kontrollin e pikave të grumbullimit

Duke qenë se askush nuk mban përgjegjësi për këtë çështje, “BOOM” iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier për ta vënë në dijeni.

Besnik Seferi, nga Drejtoria e Kontrollit pranë Tatimeve të Fierit pas njohjes me denoncimin dhe se do të ngrihet një grup pune që do të shikojë me imtësi të gjitha autofaturimet dhe do të bëhen kontrolle në pikat e grumbullimit. 

Besnik Seferi: Në rastin konkret që flasim te institucioni tatimor bazohet në vetëdeklarimet që bën subjekti, që do të thotë që çdo transaksion tatimor kryhet përmes një dokumentacioni tatimor.  Kur fermeri deklaron që nuk merr faturë nga grumbulluesit  dhe duhet thënë që në qarkun Fier nuk operon 1 apo 2 grumbullues, por janë disa. Neni 58 i ligjit 9920 për procedurat tatimore citon “që çdo transaksion që kryhet dhe në rastin kur fermeri nuk ështeë i pajisur me licencë, kryhet në sistemin e një autofaturimi të cilën e bën vet blerësi”.

Në rastin kur blerësi nuk e lëshon këtë faturë dhe ne ndodhemi përballë një denoncimi të tillë, Drejtoria Rajonale ndërmerr masa të tjera për vërtetimin e këtij denoncimi nëse është i vërtetë apo jo. Nëse denoncimi është i saktë ne vazhdojmë me procedurat e tjera tatimore si me rivlerësime, pastaj çështja i përcillet për kompetenca të tjera Drejtorisë së Hetimit Tatimor pasi jemi përpara faktit që subjekti tregtar, grumbulluesi, bën fshehje të ardhurash.

Në Drejtorinë Rajonale Fier do të ngrihet një grup pune dhe do të shikojë me imtësi të gjitha autofaturimet, do të bëhen kontrolle në pikat e grumbullimit.  Ne jemi të hapur dhe presim denoncime nga të gjithë për rastet abuzive në mënyrë që të jemi më pranë hallit dhe zgjidhjes se tyre.

Edhe Ministria e Bujqësisë e ka një përgjigje për këtë çështje.

“Përsa i përket faturave tatimore mban përgjegjësi Drejtoria përkatësë rajonale”.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë