Deputeti Bushati takon Presidenten e Këshillit të Evropës
12/10/2017 - 21:02

Në sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po zhvillon punimet në Strasburg, mori pjese për herë te parë delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga Ervin Bushati.

Bushati ka zhvilluar një takim me Presidenten e sapozgjedhur të Asamblesë, Stella Kyriakides.

Bushati përgëzoi Kyriakides për zgjedhjen si Presidente e Asamblesë, në një kohë sfidash të jashtëzakonshme për Organizatën në tërësi. Ai shprehu bindjen se Presidenca e Kyriakides do të kontribuojë në kapërcimin e vështirësive, duke punuar bashkërisht për forcimin dhe promovimin e vlerave të përbashkëta, demokracisë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Në vijim, z.Bushati informoi shkurtimisht mbi rezultatet dhe ecurinë e procesit zgjedhor, sfidat me të cilat përballet Qeveria shqiptare si dhe reformat që janë ndërmarrë për adresimin e këtyre sfidave.

Nga ana e saj, Presidentja Kyriakides përgëzoi për progresin e bërë nga Shqipëria në përmirësimin e standarteve të respektimit të vlerave që qëndrojnë në themel të Organizatës. Ajo vlerësoi  rëndësinë e reformave të ndërmarra, vecanërisht reforma në fushën e drejtësisë, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend.

Të dy bashkëfolësit ndanë të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit brenda Asamblesë, dhe më gjerë,  si mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve dhe mbrojtjen e integritetit dhe kredibilitetit të Organizatës.

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter