Replikat ne Kuvend - E shau Rama, Berisha: Një hale në copë mëndafshi
13/10/2017 - 10:55

Kryeministri Rama dhe ish kryeministri Sali Berisha replikuan në Kuvend paraditen e sotme.

Berisha:  Zotëria dje shau mbas shpine siç ka fytyrën dhe karakterin. Unë dua ti them sot sy më sy, se të shash nga karrigia e kryeministrit pas shpine tjetrin nuk bën gjë tjetër vetëm ngjet si i thonë francezi, “një hale në një copë mëndafshi 

Replikon Rama: Kryetari i PD e nisi fjalën e tij, duke thënë se ne të gjithë jemi të rrjedhur, çka është një konstatim, siç edhe në rastin e djeshëm, ishte thjesht një konstatim.

Njerëzit gjykojnë, por Sali, larg qoftë, që unë të të shaj ty dhe Lulin. Janë vrarë njerëz në bulevard, s’të kam thënë kurrë, këtu, vrasës dhe nuk i them sot, Lulzimit, që, kur më tregon mua një vajzë të plagosur, të shikojë faturën që shteti duhet të paguajë për Gërdecin dhe 21 janarin: 10 milionë dollarë, pa Strasburgun akoma. 10 milionë dollarë!

Por nuk i them vrasës, ashtu sikundër nuk ka në rekordin e këtij Parlamenti, një rast të vetëm që t’i jem drejtuar kujtdo, shkëlqesisë suaj, në radhë të parë, si mafioz, si kriminal, si vrasës. Kështu që dallimi është shumë i madh.

 Përsa i përket të sharave nga karrigia e Kryeministrit, e di kurrizi i Erion Braces, e di kurrizi i Taulant Ballës dhe e dinë shumë shpina të tjera folësish këtu, se ç’ju ke bërë nga aty, por ti ke bërë tënden, Luli bën të vetën, ju bëni tuajën dhe jeni të pafajshëm. Ju s’keni faj, sepse ju s’keni ditur kurrë të mbani përgjegjësi.

Në fakt, Sali, për të thënë të vërtetën, ti e ke mbajtur përgjegjësinë, kur je larguar pas humbjes. Kjo është vërteta, prandaj them, laj-thaj, Partia Demokratike, kanatieren e sulmuesit, kanatieren tënde ka. Pa atë kanotiere, s’ka Parti Demokratike dhe për këtë fatkeqësi je i pari që duhet të mendohesh ti. Kështu, të mos hyjmë në këtë garë.

 Populli ka mjaft shprehje se çfarë të ndodh, kur fle me qenin, çfarë të ndodh, kur fle me macen etj.. Çfarë të ndodh, e kemi provuar, kur je i përfshirë në një lloj batërdie si kjo këtu, sidomos në klubin që kishim 4 vjet këtu në sallë. Detyrimisht, për fat të keq, edhe nuk shpëton ndonjëherë nga infeksioni. Por kush është vatra e infeksionit, kush është virusi, kush janë mikrobet, shqiptarët le ta gjykojnë, nuk e gjykoj unë.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento