Intervistë për Ora News - Emigranti shqiptar në listat e CDU: Ju tregoj për fitoren e Merkel
24/09/2017 - 20:58

Kolë Goka, emigranti shqiptar i cili ishte pjesë e listës së CDU në Hamburg ndau përshtypjet e tij për fitoren e kancelares Angela Merkel.

Edhe pse emri i tij nuk bëri pjesë tek fituesit, për të ishte nder dhe privilegj që të ishte pjesë e politikës së partisë së kancelares Merkel.

Në një intervistë ekskluzive për Ora News nga Hamburgu, Gjoka tha se fitorje e Merkel ishte e pritshme, pavarëisht me një rënie nga zgjedhjet e 4 viteve më parë.

Ai tha se politika e kancelares Merkel do të vijojë të mbështese Ballkanin, veçanërisht Shqipërinë. 

Gjoka gjithashtu tregoi edhe rrugëtimin e tij, nga emigrant që kishte mbërritur në vitin 1996, deri në futjen e tij në politikë.

Intervista e Kolë Gjokës dhënë për Ora News

Gjoka: Zgjedhjet i fitoi CDU është e qartë, por me një humbje mbi 8% të zgjedhësve.

Si kanë qenë pritshmëritë, të CDU-së dhe tuajat personale?

Gjoka: Çdo njeri që futet në garë futet për ta fituar atë garë, gjithësesi pritmshmëritë e CDU nuk ishin ato që ne arritëm. Kemi menduar që do të arrijmë rreth 40%, nuk e arritëm atë. Kurse sa për pritshmëritë e mia, unë e di. Ishin të pritshme, sepse unë nuk jam në një vend shumë lart në listë. Gjithësesi unë nga një emigrant që kam ardhur këtu arrita të futem në listë për Bundestag të CDU, që më mjafton.

Në zonën tuaj projeksinet si janë? Do të kemi një shqiptar në Bundestag?

Gjoka: Jo nuk besoj se do ketë, si lojtar rezervë unë jam shumë i kënaqur. Në 4 vjet mund të ndodhin shumë gjera. Edhe pas 4 vjetësh unë këtu jam prap, ekziston eksperienca.

Kush janë shkaqet që kanë çuar në këtë rënie të CDU?

Gjoka: E para është populizmi i disa partive ekstremiste, por që ta luftosh populizmin e tyre duhet të flasësh hapur me popullin. Deri tani politika gjermane nuk ka folur hapur me elektoratin, që ti thotë cilat janë arsyet që ne na duhen emigrantët.

Merkelin e pamë të qeshur, në qasjen tuaj ishte e sinqertë kjo buzëqeshje, apo edhe vetë kancelarja mund të jetë mëriztur me këtë rezultat.

Gjoka: Ajo është shumë e mërzituar për atë, por para elektoratit duhet të dalë në atë formë. Unë para disa ditësh kam postuar një status për fitoren e CDU dhe me disa pikëpyetje, që programi i qeverisë së ardhshme do të jetë shumë i ndërthurur. Një nga ato është edhe ndoshta..shpejt ta thuash, por unë e kam thënë, që po vjen koha që ajo të gjejë pasardhësin.

Martin Schulz  përjashtoi mundësinë e krijmit të koalicionit të madh me CDU, sipas jush është lajm pozitiv apo negativ?

Gjoka: Një koalicion i madh këtu në Gjermani edhe 4 vitet e ardhshme do ta dëmtonte ekonominë gjermane. Gjermania ka nevojë për një opozitë konstruktive dhe jo opozitën ta lerë në dorë të ekstremistëve.

Ishte i pritshëm refuzimi i social demokratëve me CDU?

Gjoka: Ky nuk është refuzim, refuzim është kur të shtrin dorë.

Me kë parti mund të bashkëpunojë CDU në këto kushte?

Gjoka: CDU mund të ishte në koalicion me Partinë Liberale Demokratike dhe Partinë e Gjelbër.

A kanë përputhshmëri programet tuaja me këto dy parti politike?

Gjoka: Ekspertët politikë kanë pasur takime më parë, edhe gjatë fushatës. Kjo për ne ishte e pritshme. Sa do dilnin rezultat ishte gjë tjetër, por zgjidhja ishte kjo, koalicioni me Partinë Liberale Demokratike dhe Partinë e Gjelbër.

Pas 60 vitesh, rikthehet ekstremi i djathtë. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje?

Gjoka: Para 4 vitesh kjo parti garoi për Bundestagun, por nuk arriti kufirin. Tani ka një rritje me 8.5%. Unë nuk e shikoj ndonjë rritje dramatike. Edhe kjo parti përfaqëson mendimin e një elektorati gjerman. Ne nuk duhet të fshihemi përpara atyre që kritikojnë politikat e kancelares gjermane. Ne duhet të dalim përballë tyre.

Beson se do të vijojë të mbetet Gjermania një mbështetëse e Shqipërisë sic ka qenë deri tani?

Gjoka: Kjo politika e jashtme Gjermane është solide, nuk ka shumë rëndësi nëse janë të majtët apo të djathtët. Politika e kancelares Merkel ndaj Ballkanit, vecanërisht ndaj Shqipërisë është një politike miqësie dhe përkrahje të pakufijshme.

Do donim të dinimi pak më shumë për kandidimin tuaj?

Gjoka: Unë kam mbërritur në Gjermani në vitin 1996 si emigrant dhe filloi ai kalvari i betejave ligjore, betejave të integrimit. Por shqiptarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem integrimin, jo vetëm në Gjermani, por edhe në vendet e tjera.

Cila ishte arsyeja që të coi drejt politikës?

Gjoka: Duhet të arrish në një farë statusi të tillë që të kesh kohë të merresh me politikë. Politika në Gjermani ka ndryshim me atë në Shqipëri. Këtu është dicka vullnetare, është dicka që nuk është mbi bazën e interesave, por mbi bazën e atyre që ndjen dhe mendimeve. Edhe qenia ime i krishter….CDU është një parti popullore që ka një program shumë të gjerë.

Sa të përfshirë janë shqiptarët në politikën gjermane?

Gjoka: Shumica e të huajve në Gjermani janë në parti të majta, ka edhe disa shqiptarë tek tuk, por ata po shtohen dita ditës dhe imazhi i shqiptarëve po përmirësohet cdo ditë në Gjermani.   Në çdo takim që unë kam dhe kur më jepet mundësia që unë flas, fjala e parë që i them është: Unë jam shqiptar. Jam lindur dhe rritur në Shqipëri.

Sa  e rëndësishme do të ishte që edhe shqiptarët të përfaqësoheshin në Bundestagun e Gjermanisë?

Gjoka: Të përfaqësohesh në Bundestag është arritje e jashtëzakonshme për çdo popull. Por duhet ta shikojmë edhe me durim, shqiptarët që jetojnë në Gjermani momentalisht mund të jenë rreth 20 mijë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter