Fëmijët i mbajnë gjyshërit, mungojnë iniciativat për kampe verore
19/06/2017 - 15:45 Nga: Manjola Hasa

“Në këndin e lodrave më afër shtëpisë dhe nën kujdesin e gjyshërve”-kjo duket se është alternativa e vetme e fëmijëve që nisën zyrtarisht pushimet me përfundimin viti shkollor.

Kjo në rastin më të mirë, ku është ndërtuar një hapësirë e tillë për komunitetin, dhe kur jetojnë me gjyshërit pasi në të kundërt do të mbylleshin në shtëpi.

Nuk ka asnjë iniciativë nga shkollat publike, bashkia apo nismë tjetër më e gjerë nga qeveria për organizimin e kampeve verore; ndaj mundësi argëtimi në kryeqytet mbeten këndet e lodrave, qendrat tregtare dhe pishinat në rast se prindërit nuk janë në punë.

Gjysh: Në të kaluarën i organizonim ndryshe. Është shumë vështirë për fëmijët. Pavarësisht këndeve të bëra në lagje është i mirë, por e pamundur, nuk është e kompletuar.

Fëmijë: Në kampe verore nuk shkoj, por vetëm ekskursione.

Kampet verore janë iniciativa private, organizohet nga shkollat jo publike ose Kishat.

Fëmijë: Unë shkoj në një kamp veror nga kisha. Pastaj shkoj në plazh.

Ka një tarifë rreth 10 mijë lekë për 7 ditë dhe një pjesë e fëmijëve kanë programuar që verën ta shfrytëzojnë në këtë mënyrë; por ka dhe prindër që këto pagesat e shohin të larta dhe në pamundësi për ti përballuar.

Prind: Shkollat private organizojnë. Por jo të gjithë kanë mundësi t’i çojnë.

Sociologia Entela Binjaku mendon se organizimi i kampeve verore nga pushteti vendor ose shkollat publike do të ishte një mundësi te mirë e argëtimi të fëmijëve.

Binjaku: Do të kishte qenë shumë më mirë që shteti të organizonte kampet verore. Shumë prej prindërve janë rritur me ato kampe, i kanë ende në kujtesë dhe kanë nevojë t’ua përcjellin fëmijëve si modele.

Në të kundër, të miturit përballen edhe me disa rreziqe.

Binjaku: Obeziteti e probleme të tjera me radhë janë probleme të njohura. Të mos harrojmë edhe programet përmes ekranit nuk janë të përshtatshëm për fëmijët. Ato që janë ndoshta janë të pamjaftueshme. Kjo jetë sendentare nuk u sjell asgjë të mirë fëmijëve.

Sociliogët thonë se mundësitë e argëtimit të fëmijëve janë minimale edhe  kur bëhet fjalë për kryeqytetin, situata është edhe dëshpëruese në qytetet të tjera të vendit. 

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Tornado godet Kinën

Close