Vota kundër - Ferhati: Nuk ka prova, Tahiri s’mund të arrestohet me thashetheme
21/10/2017 - 21:00

Deputetja socialiste, Klotilda Ferati, thotë se në seancën me dyer të mbyllura prokuroria e krimeve të rënda nuk solli asnjë provë që mund të implikonte deputetin Saimir Tahiri me bandën e Habilajve.

Ferhati: Në këto informacione që u lexuan dhe u thanë nga të ashtëquajturat prova të reja, nuk rezulton që të kemi një përfshirje direkte të Tahirit në historitë që po dëgjojmë sot.Ato nuk ishin prova që mund të mbaheshin sekret, po ta dinim do kishim mbajtur mbledhjen me dyer të hapura dhe të shmangnim spekulimet.

E ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News ajo shpjegoi votën e socialistëve kundër arrestimit të Tahirit.

Ferhati: Jemi pro hetimeve por nuk jemi pro akuzave apo kërkesave të cilat kërkojnë të cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut pa prova dhe fakte, abuzive, ndoshta edhe me sfond politik. Nëse do kishte prova të reja, prokuroria e para do ti kishte përdorur. Nëse nuk u paraqitën dje do të ishin paraqitur sot në seancën “sekrete”. Nuk ka prova.Prandaj nuk përligjëm dot arrestimin e Tahirit.Prokuroria është e lirë të vazhdojë të hetojë. Nuk mund të arrestohet një njeri vetëm me fjalë, vetëm me thashetheme. Fjalët e dynjasë mund të shërbejnë për të nisur një hetim për tu thelluar në gjetjen e provave por jo për arrestim.

Që përgjimet të jenë prova, duhet të kishte komunikim të Tahirit me Habilaj

Edhe sikur këto përgjime ti merrnim në konsideratë, do ti merrnim vetëm në rast se në këto përgjime do të kishim një element të vetëm ku nuk do të bëhej fjalë vetëm për biseda të personave të tretë ku citohej zoti Tahiri por nëse do të bëhej fjalë për biseda të zotit Tahiri me persona të tretë të implikuar në këto vepra penale apo kundërligjshmëri. Nuk patëm asnjë indicië, asnjë fillim prove ku zoti Tahiri të kishte një komunikim, një pjesmarrje me këta persona në një situatë të caktuar. Nuk patëm asnjë nga ato fakte që një qytetari të zakonshëm e jo më një deputeti, lërë pastaj një gjykate, ti krijonin bindjen se kishim dyshime të arsyeshme të bazuara në prova për të arritur në një masë kaq ekstreme sa ç’është heqja e lirisë së personit, një e drejtë e njohur nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Shqipërisë, që nëse kufizohet duhet të jetë e bazuar në fakte dhe prova të cilat duhet të jenë të tilla që ta justifikojnë këtë lloj kufizimi.

Nxisim prokurorinë të vazhdojë hetimet
Sot në seancën sekrete ajo që na u paraqit ishin 8 faqe përkthime nga përgjimet e Italisë, asgjë më shumë, asgjë më pak nga ato që keni dëgjuar dhe ndjekur në portale. Asgjë tjetër që të na sillte ndonjë rrethanë të re. Për gjykimin tim nuk kishim as pse bënim seancë sekrete sepse nuk kishim çfarë i pengonim hetimit.Qëndrimi i mazhorancës është shumë i drejtë. Ne duam që drejtësia të shkojë deri në fund në lidhje me këtë çështje. Askujt nga ne nuk i pëlqen që kemi një situatë të tillë.Ama ne si deputetë të PS duam patjetër që hetimi të vazhdojë, prokuroria të ndihmohet të ndjekë çdo faqë proceduriale, çdo hetim për ti çuar faktet deri në fund. Por kërkesa e tyre për të arritur deri në një masë arresti për të kufizuar lirinë e Tahirit ishte një kërkesë e pabazuar në fakte dhe kundër atyre kritereve ligjore që ne si deputetë të Këshillit të Mandateve duhet ti respektonim.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë